Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot në Qendrën Rajonale K9 për Trajnim dhe Certifikim në Qendrën Policore -Gjorçe Petrov mori pjesë në fillimin e trajnimit rajonal për sistemimin e qenve të shërbimit në zonat me qasje të vështirë, i cili po zbatohet në kuadër të projektit "Mbështetje të autoriteteve kombëtare në uljen e rrezikut të përhapjes dhe shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta".
Ministri Toshkovski theksoi se ky projekt nuk është vetëm fillimi i trajnimit standard profesional, por një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar, i partneritetit të bazuar në besim, i qëllimeve të përbashkëta dhe i përkushtimit drejt rritjes së sigurisë në nivelin lokal, rajonal dhe global.
"Para njëmbëdhjetë muajve nga vendi i njëjtë ishim dëshmitarë të fillimit të punës së Qendrës Rajonale K9 për Trajnim dhe Certifikim - një pjesë e rëndësishme e sistemit të përgjithshëm të sigurisë, si në nivel operativ ashtu edhe në atë strategjik. Gjatë pothuajse një viti të kaluar, qendra ishte nikoqire e një numri të madh punëtorish, trajnimesh dhe ushtrimesh. Bashkëpunimi i institucionit tonë me Misionin e OSBE-së paraqet një nga elementet kryesore në procesin e mbindërtimit të kapaciteteve policore sipas standardeve të Bashkimit Evropian", theksoi Ministri Toshkovski.
Ministri Toshkovski theksoi se qëllimi i ministrisë është që në të ardhmen kjo qendër të zhvillohet në një qendër rajonale në fushën e forcimit të kapaciteteve të agjencive të zbatimit të ligjit, përmes trajnimeve moderne dhe transferimit të ekspertizës në përdorimin e qenve të shërbimit.
"Qentë e shërbimit janë një pjesë e veçantë e sistemeve tona të sigurisë. Ata nuk paraqesin mjet, por të njëjtit janë partnerë dhe pjesë e policisë, të cilët me trajnimin e tyre luajnë një rol të paçmuar në shpëtimin e jetëve. Në shumë raste, reagimi i tyre është thelbësor për suksesin e gjithë operacionit. Por pas çdo qeni shërbimi qëndron nëpunësi policor, trajnuesi dhe institucioni. Për shkak të këtij fakti e dimë se investimi në kapacitetet e njësive të qenve të shërbimit është investim në siguri më të madhe për të gjithë ne", shpjegoi Ministri Toshkovski.
Toshkovski në fund falënderoi OSBE-në dhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe theksoi se udhëheqësia e ministrisë mbetet e përkushtuar fuqimisht në ndërtimin e sistemit të sigurisë që do të jetë garantues për përparimin e shtetit tonë dhe sigurinë e qytetarëve.