Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Toshkovski nga Athina: Përgjigje e përbashkët dhe e bashkërenduar ndaj krimit dhe terrorizmit – bashkëpunim i forcuar me Greqinë

Toshkovski nga Athina: Përgjigje e përbashkët dhe e bashkërenduar ndaj krimit dhe terrorizmit – bashkëpunim i forcuar me Greqinë
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot në Athinë mori pjesë në takimin ministror të Procesit të Akabës, që i dedikohet luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit në Ballkan, me ç'rast mori fjalën në sesionin e parë për identifikimin e kërcënimeve dhe vlerësimin e ndërlidhjes së krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe terrorizmit, si dhe sfidave që i parqesin ato.
Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se realiteti i sigurisë në rajon dhe më gjerë ka ndryshuar ndjeshëm, ku krimi i organizuar, trafikimi i drogës dhe terrorizmi gjithnjë e më shpesh ndërthuren dhe funksionojnë si një kërcënim i vetëm, hibrid.
“Sot më nuk mund t’i trajtojmë krimin dhe terrorizmin si dukuri të ndara. Ato janë pjesë e po këtij mekanizmi që mbështetet në kanale, financa dhe logjistikë të përbashkët dhe kërkon një përgjigje të bashkërenduar e të përbashkët nga të gjithë ne”, theksoi Toshkovski.
Ai potencoi se këto kërcënime janë transnacionale dhe lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e shteteve, duke theksuar se është i domosdoshëm forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, shkëmbimi i informatave dhe koordinimi ndërmjet shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës.
Njëkohësisht, ministri u ndal edhe te sfidat konkrete me të cilat përballet rajoni, siç janë: keqpërdorimi i korridoreve të transportit, rrjedhat informale ekonomike, korrupsioni, si dhe teknologjitë e reja që mundësojnë veprim më të lehtë të rrjeteve kriminale dhe ekstremiste.
Në kuadër të vizitës, ministri Toshkovski realizoi një takim bilateral me ministrin për mbrojtjen e qytetarëve të Greqisë, Mihalis Krisohodhis, ku u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe gatishmëria për avancimin e mëtejmë të tyre.
Në takim u shqyrtuan çështje kyçe me interes të përbashkët, me theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe migrimit ilegal, si dhe në përmirësimin e shkëmbimit të informatave dhe koordinimit operativ.
Gjithashtu, ministrat u ndalën në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për tejkalimin e sfidave që rrjedhin nga implementimi i sistemit të të BE-së (EES) për hyrje/dalje, me theks të veçantë në uljen e kohës së pritjes në pikat kufitare në prag të sezonit turistik.
Ministrat diskutuan edhe për rrjedhën e procedurave për harmonizimin e marrëveshjes bilaterale për bashkëpunim në luftën kundër krimit, si dhe për protokollin e riatdhesimit, i cili synon përmirësimin e procedurave për kthimin e personave që qëndrojnë ilegalisht.
Po ashtu, u shkëmbyen informacione për gjendjen aktuale me migrimin ilegal, ku u theksua nevoja për një qasje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse në përballjen me këtë sfidë në nivel rajonal.
Të dy ministrat konfirmuan përkushtimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e sigurisë në rajon përmes aktiviteteve konkrete, të koordinuara dhe të qëndrueshme, me qëllim të sigurimit të nivelit më të lartë të sigurisë për qytetarët e të dy shteteve dhe më gjerë.
Me ftesë të ministrit Toshkovski, ministri Krisohodhis do të vizitojë vendin tonë me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për sfidat me të cilat përballemi.

Accessibility Menu