Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Toshkovski në takimin rajonal të UNODC-së: Lufta kundër trafikimit me njerëz kërkon bashkëpunim të fuqishëm ndërkufitar dhe mbrojtjen e çdo viktime

Toshkovski në takimin rajonal të UNODC-së: Lufta kundër trafikimit me njerëz kërkon bashkëpunim të fuqishëm ndërkufitar dhe mbrojtjen e çdo viktime
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot mbajti fjalim në Takimin Rajonal të Ekspertëve për forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar në fushën penale dhe mbrojtjen e viktimave të huaja në rastet e trafikimit me njerëz, të organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC).
Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe veprimit të koordinuar të institucioneve në luftën kundër trafikimit me njerëz, si një nga format më të rënda të krimit të organizuar. Ai shprehu mirënjohje për UNODC-në për organizimin e takimit, duke theksuar se pjesëmarrja e ekspertëve dhe delegacioneve nga rajoni, por edhe nga Amerika e Jugut, konfirmon përkushtimin e përbashkët për mbrojtjen e viktimave, pavarësisht kufijve kombëtarë dhe gjeografikë.
„Trafikimi me njerëz, si një akt global dhe shoqërisht i papranueshëm, nuk njeh kufij dhe as nuk bën dallime mes njerëzve në bazë të prejardhjes, përkatësisë apo bindjeve të tyre. Prandaj, përgjigjja jonë duhet të jetë po aq e vendosur: e organizuar, gjithëpërfshirëse dhe multidisiplinare“, theksoi Toshkovski.
Ministri vuri në dukje se, përveç formave tradicionale të shfrytëzimit, rrjetet kriminale po zhvillojnë edhe mënyra të reja dhe gjithnjë e më komplekse të keqpërdorimit të njerëzve. Vëmendje të veçantë i kushtoi rreziqeve të shfrytëzimit për punë dhe shfrytëzimit seksual, si dhe cenueshmërisë së shtetasve të huaj, të cilët, në kërkim të mundësive më të mira ekonomike, mund të bëhen viktima të trafikimit me njerëz.
Toshkovski theksoi se Ballkani Perëndimor përbën rajon të origjinës, tranzitit dhe destinacionit përfundimtar të viktimave, ndërsa në Maqedoni, gjatë viteve të fundit, dominon trafikimi i brendshëm me njerëz, megjithëse identifikohen edhe viktima të huaja. Veçanërisht shqetësuese është cenueshmëria e fëmijëve dhe e personave të prekur nga varfëria, diskriminimi dhe dhuna në familje, për çka është e domosdoshme që institucionet të ndjekin vazhdimisht trendet e reja dhe të reagojnë në kohë.
Duke iu referuar përpjekjeve kombëtare, ministri rikujtoi se Maqedonia, që nga viti 2001, në mënyrë të vazhdueshme i zhvillon mekanizmat institucionalë për luftën kundër trafikimit me njerëz, duke harmonizuar legjislacionin dhe praktikat me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e organizatave përkatëse.
„Sistemi ynë mbështetet në pesë shtylla: parandalimi, ndjekja penale, mbrojtja, riintegrimi dhe kompensimi i viktimave. Në fokusin e çdo mase tonë qëndron gjithmonë Njeriu — viktima, të cilës dinjitetin duhet t'ia rikthejmë“, porositi Toshkovski.
Në fund, ministri theksoi se trafikimi me njerëz shpesh mbetet i fshehur, ndërsa viktimat të padukshme për shoqërinë, prandaj rritja e ndërgjegjësimit publik, edukimi, identifikimi me kohë dhe raportimi janë me rëndësi thelbësore.
Ai bëri të ditur se vetëm përmes koordinimit të fuqishëm institucional, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një qasjeje që vendos në qendër të drejtat dhe dinjitetin e viktimave, mund të sigurohet parandalimi dhe zbulimi më efikas i trafikimit me njerëz, ndjekja penale e autorëve dhe mbrojtja e përshtatshme e viktimave.

Accessibility Menu