Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Toshkovski në takim lamtumirës me ambasadorin Kilian Val: Mirënjohje për partneritetin me OSBE-në dhe projektet e përbashkëta për modernizimin e policisë së Maqedonisë

Toshkovski në takim lamtumirës me ambasadorin Kilian Val: Mirënjohje për partneritetin me OSBE-në dhe projektet e përbashkëta për modernizimin e policisë së Maqedonisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot zhvilloi një takim lamtumirës me shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorin Kilian Val, me ç’rast shprehu mirënjohje për angazhimin e tij personal, përkushtimin dhe kontributin e rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Misionit të OSBE-së.
Në takim u theksua se gjatë mandatit të ambasadorit Val është realizuar një bashkëpunim i frytshëm dhe konkret, veçanërisht në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe operative të policisë, avancimit të arsimit policor, mbrojtjes së kategorive të rënduara të qytetarëve dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe ndërkufitar.
Ministri Toshkovski u ndal veçanërisht te dy projekte të rëndësishme të realizuara me mbështetjen e OSBE-së, të cilat përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në modernizimin dhe profesionalizimin e policisë së Maqedonisë.
Në kuadër të projektit „Ndërtimi i një sistemi hibrid arsimor në Ministrinë e Punëve të Brendshme“ u ndërtua dhe u pajis plotësisht Qendra Multimediale për Trajnim në Akademinë e Policisë, e cila u hap zyrtarisht në shkurt të vitit 2025. Ky projekt krijoi kushte bashkëkohore për trajnim dhe përsosje profesionale të nëpunësve policorë, ndërsa u siguruan gjithashtu pajisje për dhoma të specializuara për biseda me fëmijë dhe viktima në sektorët për punë të brendshme në Manastir, Strumicë dhe Tetovë. Në korrik të këtij viti, ministri Toshkovski dhe ambasadori Val morën pjesë së bashku në hapjen e një dhome të tillë në Strumicë.
Rezultate të rëndësishme u arritën edhe përmes projektit „Mbështetja e autoriteteve kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut në zvogëlimin e rrezikut nga përhapja e armëve dhe keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta“, përmes të cilit u forcuan kapacitetet e MPB-së për parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe keqpërdorimit të armëve. Në kuadër të projektit u hap edhe Qendra Rajonale K9 për Trajnim dhe Certifikim në kazermën „Gjorçe Petrov“, si dhe u realizuan disa trajnime rajonale, konferenca dhe aktivitete parandaluese.
Ndër aktivitetet më të rëndësishme ishin konferenca rajonale për bashkëpunimin policor dhe doganor në Shkup, fushata „Jeta nuk ka rinisje“, e cila kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes së të rinjve për rreziqet nga keqpërdorimi i armëve, si dhe trajnimi rajonal për zbulimin e armëve, i mbajtur në Lazaropolë në qershor të këtij viti.
Toshkovski theksoi se vlera e bashkëpunimit me OSBE-në shihet pikërisht në rezultatet konkrete – kushte më të mira për trajnimin e nëpunësve policorë, pajisje bashkëkohore, kapacitete të specializuara më të fuqishme dhe mbrojtje më të mirë të qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe kategorive të tjera të cenueshme.
Gjatë bisedës u konfirmua rëndësia e vazhdimit të partneritetit me Misionin e OSBE-së në Shkup, me fokus në profesionalizimin e mëtejshëm të policisë, avancimin e kapaciteteve institucionale, sundimin e së drejtës dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucione.
Në fund të takimit, ministri Toshkovski e falënderoi ambasadorin Val për komunikimin e hapur, qasjen konstruktive dhe mbështetjen që i ka ofruar Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë mandatit të tij, duke i uruar shumë suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale.
Ministri shprehu bindjen se partneriteti i vendosur dhe projektet e realizuara përbëjnë një bazë të fortë për vazhdimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet MPB-së dhe OSBE-së, në interes të institucioneve më të fuqishme, policisë profesionale dhe sigurisë më të madhe për të gjithë qytetarët.

Accessibility Menu