Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot mori pjesë në vënien në përdorim të pjesës së rikonstruktuar të aeroportit „Shën Apostull Pavle“ në Ohër, me çka sigurohen kushte moderne për udhëtarët, funksionalitet më i mirë i terminalit dhe qarkullim më efikas gjatë kontrolleve kufitare.
Në kuadër të rikonstruktimit është rinovuar tërësisht edhe Stacioni Policor për Pikë Kalim Kufitar në aeroportin e Ohrit. Punonjësit e policisë kanë në dispozicion ambiente të reja, moderne dhe funksionale për punë, ndërsa janë vendosur edhe kabina moderne për kontrollin e pasaportave, me çka përmirësohen kushtet për kryerjen e kontrolleve kufitare dhe mundësohet shërbim më cilësor dhe më efikas për udhëtarët.
„Aeroporti modern nënkupton kushte më të mira për udhëtarët, por edhe kushte më të mira për punonjësit tanë të policisë, të cilët çdo ditë kujdesen për sigurinë dhe zhvillimin e papenguar të kontrolleve kufitare. Vazhdojmë me modernizimin e pikave të kalimit kufitar, përmirësimin e kushteve për policinë e Maqedonisë dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe vizitorët e Maqedonisë“, theksoi ministri Toshkovski.
Modernizimi i infrastrukturës kufitare dhe përmirësimi i kushteve të punës për punonjësit e policisë mbeten ndër prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me qëllim të procedurave kufitare më të shpejta dhe më efikase, si dhe një cilësi më të lartë të shërbimeve për të gjithë qytetarët dhe vizitorët e huaj që hyjnë në vend përmes aeroportit të Ohrit.