Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Toshkovski: 496 nëpunës të rinj policorë përforcuan Policinë e Maqedonisë – investimet në reforma dhe trajnime krijojnë rojtarë profesionistë të sigurisë

Toshkovski: 496 nëpunës të rinj policorë përforcuan Policinë e Maqedonisë – investimet në reforma dhe trajnime krijojnë rojtarë profesionistë të sigurisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në Akademinë Policore në Idrizovë, në ceremoninë solemne të promovimit të gjeneratës së re të nëpunësve policorë 2025–2026, me ç’rast Ministrisë së Punëve të Brendshme iu shtuan 496 nëpunës të rinj policorë.

Në fjalën e tij, ministri Toshkovski theksoi se profesioni i policit nuk është vetëm një vend pune, por një zgjedhje jetësore dhe një thirrje që kërkon guxim, ndershmëri, profesionalizëm dhe humanizëm.
“Me betimin solemn të sotëm, ju nuk fitoni vetëm një vend pune, por pranoni një përgjegjësi të madhe dhe merrni nderin të mbani uniformën që qytetarët e njohin si simbol të rendit, ligjit dhe sigurisë”, deklaroi ministri Toshkovski.
Ai theksoi se Ministria gjatë periudhës së fundit ka zbatuar një proces të thellë modernizimi dhe forcimi të kapaciteteve policore përmes investimeve në stacione të reja policore, pajisje bashkëkohore, park automjetesh, digjitalizim të shërbimeve dhe implementim të sistemeve moderne të sigurisë, me qëllimin e vetëm që qytetarët të jetojnë më të sigurt dhe shteti të jetë më i fortë.
“Sot, Republika e Maqedonisë ka nivelin më të ulët të kriminalitetit në njëzet vitet e fundit, si rezultat i punës së përkushtuar të çdo punonjësi policor, por edhe i reformave, modernizimit dhe profesionalizimit që po i zbatojmë në mënyrë të vazhdueshme”, theksoi Toshkovski.
Ministri shtoi se gjenerata e re, që gjatë trajnimit ka dëshmuar disiplinë të jashtëzakonshme, potencial profesional dhe rezultate të shkëlqyera. Gjenerata përbëhet nga dy ekipe për njësitë speciale të policisë, dy ekipe për policinë kufitare dhe dhjetë ekipe për policinë me kompetenca të përgjithshme dhe të trafikut, të cilët kanë arritur rezultate të larta në lëndët mësimore, ushtrimet praktike dhe fushat profesionale.
Në fjalimin e tij, Toshkovski theksoi se Qendra e Trajnimit në Idrizovë sot përfaqëson një institucion arsimor modern dhe të akredituar ndërkombëtarisht, i cili këtë vit është shndërruar në Akademi Policore, ndërsa nga shtatori do të rifillojë punën edhe Shkolla e Mesme Policore “7 Maji”, si një hap i rëndësishëm në krijimin e gjeneratave të reja të punonjësve profesionistë të policisë.
Të pranishmëve iu drejtua edhe ndihmësministri dhe drejtuesi i Akademisë Policore, Vllatko Mitkovski, i cili theksoi se gjenerata 2025–2026 është e para që ka përfunduar me sukses trajnimin e ri bazë të specializuar, të organizuar në tre module të veçanta: për policinë me kompetenca të përgjithshme dhe të trafikut, për punët kufitare dhe për operacionet speciale policore. Ai nënvizoi se, përveç njohurive dhe aftësive profesionale të fituara, kjo gjeneratë do të mbahet mend edhe për humanizmin e saj, përmes aktiviteteve të shumta vullnetare humanitare dhe aksioneve të dhurimit të gjakut të realizuara gjatë trajnimit.
“Kur keni hyrë për herë të parë në Akademi, keni ardhur me histori të ndryshme jetësore, përvoja dhe pritshmëri. Sot qëndroni para nesh si një gjeneratë që e ka përfunduar me sukses trajnimin, i ka përvetësuar standardet profesionale dhe ka dëshmuar se ka kapacitet për të mbajtur përgjegjësinë që kërkon profesioni i policit. Por mësimi më i rëndësishëm që duhej të mësonit nuk ishte se si të zbatoni një teknikë apo procedurë të caktuar policore. Mësimi më i rëndësishëm ishte se punonjësi policor duhet të jetë gjithmonë njeri me integritet. Uniforma policore nuk është vetëm një shenjë zyrtare – ajo përfaqëson besimin, ndërsa besimi fitohet çdo ditë, përmes veprimit profesional, ligjor dhe dinjitoz”, tha Mitkovski.
Mitkovski informoi se trajnimin bazë e kanë përfunduar me sukses 496 kandidatë për policë, prej të cilëve 364 për policinë me kompetenca të përgjithshme dhe të trafikut, 78 për policinë kufitare dhe 54 për njësitë speciale policore. Që nga sot, ata janë zyrtarisht të gatshëm t’u bashkohen radhëve të Policisë së Maqedonisë.
Në ceremoni, punonjësit e rinj policorë dhanë betimin solemn, duke u bërë zyrtarisht pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe duke marrë përsipër detyrimin që t’u shërbejnë qytetarëve dhe Republikës së Maqedonisë me ndershmëri, në përputhje me ligjin dhe me profesionalizëm.
Gjatë ceremonisë u ndanë edhe mirënjohje për ekipet më të mira të kësaj gjenerate, ndërsa si më i miri i gjeneratës 2025–2026 u shpall Jovan Tasevski, të cilit ministri Toshkovski i dorëzoi një pllaketë solemne. Ai mori gjithashtu një dhuratë simbolike nga Sindikata Policore e Maqedonisë. Në fund të ceremonisë, të gjithë kandidatët e gjeneratës 2025–2026 dhanë deklaratën solemne para të pranishmëve.

Accessibility Menu