Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Toshkovski: 25 vjet NJSSH- çerek shekulli „Gjithmonë dhe kudo“ në shërbim të sigurisë së Maqedonisë

Toshkovski: 25 vjet NJSSH- çerek shekulli „Gjithmonë dhe kudo“ në shërbim të sigurisë së Maqedonisë

 

Sot, me rastin e shënimit të jubileut të rëndësishëm – 25-vjetorit të themelimit të Njësitit për Sistemim të Shpejtë (NJSSH), ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mori pjesë në ceremoninë qendrore në Manastir, kushtuar një çerek shekulli të ekzistencës dhe zhvillimit të një prej njësiteve më të rëndësishme operative të policisë së Maqedonisë.

Njësiti për Sistemim të Shpejtë, që nga themelimi i tij në vitin 2001 e deri më sot, ka kaluar nëpër një proces të vazhdueshëm zhvillimi, profesionalizimi dhe modernizimi. Gjatë viteve, paralelisht me ndryshimin e sfidave të sigurisë, janë zhvilluar kapacitetet e tij operative, taktikat, pajisjet dhe standardet, duke e shndërruar NJSSH-në në një formacion policor shumë profesional, mobil dhe operacionalisht të gatshëm, i aftë për t’iu përgjigjur situatave më komplekse të sigurisë.

Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se pas kapacitetit dhe reputacionit të sotëm të Njësitit qëndrojnë breza të tërë të punonjësve të policisë, të cilët me njohuritë, përvojën, disiplinën dhe përkushtimin e tyre kanë vendosur standardet që sot vazhdojnë t’i mbajnë gjeneratat e reja të pjesëtarëve.

„Sot NJSSH-ja është shumë më tepër se një njësi organizative në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. NJSSH-ja është një nga segmentet më të rëndësishme operative të policisë së Maqedonisë dhe një nga shtyllat e sistemit të sigurisë së shtetit. Kur situata kërkon reagim të shpejtë, nivel të lartë gatishmërie, disiplinë, koordinim dhe profesionalizëm – pjesëtarët e këtij njësiti janë aty ku nevojiten më së shumti. Pikërisht për këtë, motoja ‘Gjithmonë dhe kudo’ nuk është vetëm një slogan, por një përshkrim i misionit profesional të NJSSH-së“, theksoi ministri Toshkovski.

Toshkovski theksoi se kërcënimet moderne të sigurisë kërkojnë një polici moderne, profesionale dhe të pajisur mirë, prandaj Ministria vazhdon me investimet në pajisje, automjete, infrastrukturë, teknologji moderne, trajnime dhe zhvillim profesional të punonjësve të policisë.

„Rezultatet që sot arrin policia e Maqedonisë tregojnë se jemi në rrugën e duhur. Kemi nivelin më të ulët të kriminalitetit në 20 vitet e fundit. Kjo nuk është rezultat i një aksioni, një njësiti apo një personi, por i mijëra punonjësve të policisë që çdo ditë mbajnë përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve. Në këto rezultate, kontribut të rëndësishëm kanë edhe pjesëtarët e Njësitit për Sistemim të Shpejtë. NJSSH-ja ka qenë dhe do të mbetet një nga prioritetet tona – sepse këtë e kërkon siguria e shtetit“, theksoi Toshkovski.

Në ceremoninë solemne foli edhe komandanti i Njësitit për Sistemim të Shpejtë, Stojançe Nikollov, i cili u ndal te zhvillimi 25-vjeçar i NJSSH-së dhe te njerëzit që ndër vite kanë ndërtuar reputacionin e saj profesional. Ai theksoi se NJSSH-ja e sotme është rezultat i gjeneratave të pjesëtarëve që kanë përcjellë njohuritë, përvojën, disiplinën dhe ndjenjën e përkatësisë ndaj Njësitit.

„Për një komandant nuk ka nder më të madh sesa të udhëheqë njerëz tek të cilët mund të ketë besim kur është më së vështiri. Për mua është një nder dhe privilegj i veçantë që pikërisht në vitin kur Njësiti shënon një çerek shekulli ekzistencë, kam përgjegjësinë të jem komandanti i tij. NJSSH-në nuk e krijon një komandant – e krijojnë njerëzit e saj, të gjitha gjeneratat që kanë kaluar në radhët e saj dhe çdo pjesëtar që ka lënë një pjesë të vetes në atë që Njësiti përfaqëson sot. Detyrimi ynë është që Njësitin që kemi trashëguar ta lëmë edhe më të mirë, më profesional dhe më të fuqishëm“, theksoi Nikolov.

Në kuadër të shënimit të jubileut u zhvillua edhe një ushtrim taktik-demonstrues, në të cilin pjesëtarët e Njësitit për Sistemim të Shpejtë demonstruan aftësitë e tyre të larta profesionale dhe operative, gatishmërinë, koordinimin dhe kapacitetin për veprim në situata komplekse të sigurisë, për kënaqësinë e madhe të mysafirëve dhe qytetarëve të pranishëm.

Me rastin e këtij jubileu të madh, u ndanë mirënjohje për miqtë dhe mbështetësit e Njësitit, si dhe pllaka për pjesëtarin më të mirë të NJSSH-së dhe për punonjësit e policisë që janë pjesë e Njësitit që nga themelimi i tij, pra për plot 25 vjet, si shenjë vlerësimi për përkushtimin e tyre shumëvjeçar, profesionalizmin dhe kontributin në ndërtimin dhe zhvillimin e Njësitit.

Shënimi i 25-vjetorit ishte gjithashtu një mundësi për t’u dhënë mirënjohje të gjithë pjesëtarëve të tanishëm dhe ish-pjesëtarëve të NJSSH-së, si dhe për të ruajtur me respekt të veçantë kujtimin e pjesëtarëve të rënë dhe të ndjerë, shërbimi dhe sakrifica e të cilëve mbeten përgjithmonë të gdhendura në historinë e Njësitit për Sistemim të Shpejtë dhe të policisë së Maqedonisë.

Accessibility Menu