Në katër ditët e para të muajit nëntor në aksidente rrugore në territorin e vendit humbën jetën gjashtë persona. Që nga fillimi i këtij viti përfundimisht me muajin tetor janë regjistruar 115 viktima. Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 142 viktima në aksidente rrugore. Këto nuk janë vetëm numra - janë djali i dikujt, nëna e dikujt, bashkëshorti, fëmija.
Fëmijët e dikujt mbeten pa prindër dhe anasjelltas prindërit mbeten pa fëmijët e tyre. Ky, pa mëdyshje, bilanc dëshpërues nuk është produkt i fatkeqësive natyrore apo konflikteve të luftës, por rezultat i kulturës, mendësisë dhe sjelljes sonë në komunikacion.
Nuk guxojmë të lejojmë që komunikacioni të rritet nga një domosdoshmëri e përditshme në një e keqe e domosdoshme e jetës sonë moderne.
Statistika tregon se shkaktarët më të shpeshtë të cilët çojnë në aksidente rrugore me pasoja fatale janë para së gjithash mosrespektimi i rregullave të komunikacionit, gjegjësisht përdorimi i telefonit celular gjatë ngasjes, ngasjes me shpejtësi më të madhe nga e lejuara, ngasjes nën ndikimin e alkoolit, etj.
U bëjmë thirrje qytetarëve: lini mënjanë telefonin celular teksa drejtoni automjetin, mos drejtoni me shpejtësi më të madhe nga e lejuara, mos u ulni pas timonit nëse keni konsumuar alkool.
Respektoni rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, mos e vini në rrezik jetën tuaj dhe të dashurve tuaj, si dhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.
U bëjmë thirrje prindërve: mos u lejoni fëmijëve tuaj që të drejtojnë çfarëdo lloj mjeti transportues pa trajnime dhe leje përkatëse. Kultura e komunikacionit duhet t'u ngulitet dhe vendoset fëmijëve që në moshë të njomë, ndërsa këtu ndikim të madh kanë prindërit dhe i gjithë procesi edukativo-arsimor.
Andaj edhe një herë, me përgjegjësinë më të madhe u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, bëhuni të ndërgjegjshëm, të kujdesshëm dhe të disiplinuar.
Një vendim i pamatur - ngasje me telefon celular në dorë ose me shpejtësi më të madhe nga e lejuara, ose nën ndikimin e alkoolit - mund t'ju marrë jetën tuaj ose të dikujt tjetër.
Nuk ka asgjë më të rëndësishme se jeta e njeriut. Siguria rrugore nuk varet vetëm nga policia dhe kontrollet, por para së gjithash nga çdo individ pas timonit.
Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë me kontrolle të intensifikuara në terren, por ndryshimi i mirëfilltë fillon me përgjegjësinë e çdo shoferi. Respektoni rregullat, ulni shpejtësinë dhe mos hipni pas timonit nën ndikimin e alkoolit.
Të ngasim me mendje, jo me emocione. Të mos lejojmë pakujdesia jonë të jetë arsyeja që dikush të mos kthehet në shtëpi.