Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Po sanohen pasojat e motit të ligë, policia kujdeset për sigurinë e qytetarëve

Po sanohen pasojat e motit të ligë, policia kujdeset për sigurinë e qytetarëve
Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se nëpunësit policorë janë të pranishëm në terren dhe po veprojnë sipas të gjitha denoncimeve që lidhen me pasojat e motit të ligë, në koordinim me institucionet e tjera kompetente. Po ndërmerren masa për garantimin e sigurisë së qytetarëve, sanimin e pasojave dhe zhvillimin e papenguar të komunikacionit dhe funksioneve të tjera publike.
Moti i ligë shkaktoi pasojat më të mëdha në territorin e SPB Shkup, ku deri në orën 22:00 janë evidentuar 117 automjete të udhëtarëve të dëmtuara, 35 kulme të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, 7 semaforë të dëmtuar, 5 zjarre dhe 10 persona të lënduar.
Gjithashtu, janë dëmtuar edhe disa objekte me rëndësi jetike, ndër to objektet e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kompleksi "Vila Vodno", Baza Policore e Aeroportit në Petrovec, objekti "Nova Makedonija", si dhe objektet e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike.
Në territorin e SPB Kumanovë janë raportuar 9 automjete të dëmtuara dhe 3 kulme të dëmtuara.
Në territorin e SPB Tetovë janë evidentuar 5 raste, prej të cilave 3 dëmtime të automjeteve të udhëtarëve dhe 2 dëmtime të kulmeve, ndërsa në territorin e SPB Gostivar nuk janë raportuar dëmtime apo persona të lënduar.
Në territorin e SPB Veles janë raportuar dy dëmtime të automjeteve të udhëtarëve, të shkaktuara nga rrëzimi i pemëve.
Në territorin e SPB Strumicë janë raportuar shtylla elektrike të rrëzuara në fshatrat Dobroshinc dhe Gradoshorc, si dhe ndërprerje e furnizimit me energji elektrike në fshatin Svidovicë.
Në territorin e SPB Manastir nuk janë regjistruar pasoja të konsiderueshme. Vetëm në zonën e Stacionit Policor Makedonski Brod është regjistruar një erë e fortë afatshkurtër, pa dëme materiale apo pemë të rrëzuara.
Në territorin e SPB Shtip janë regjistruar 14 automjete të dëmtuara dhe 6 dëmtime të konstruksioneve të kulmeve.
Në kuadër të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare Veri, pasojat më të mëdha janë regjistruar në Pikën Kufitare Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, ku për shkak të rrjedhjes së ujit nga kulmi u ndërpre puna në daljen nga shteti për rreth një orë e gjysmë.
Në Qendrën Transitore Tabanoc janë regjistruar dëmtime në një pjesë të objekteve të përkohshme për strehimin e migrantëve (tenda dhe objekte ndihmëse), si dhe pemë të rrëzuara, pa shkaktuar dëme materiale.

Accessibility Menu