Departamenti i Njësive të Aviacionit i Ministrisë së Punëve të Brendshme sot mori pjesë në edicionin e pestë të "SKOPJE AIR FAIR 2025", i cili u mbajt në Parkun e Qytetit në Shkup, i organizuar nga Shoqata për aviacion më të mirë "Avikon".
Në këtë aktivitet, i cili i kushtohet promovimit dhe popullarizimit të aviacionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, morën pjesë disa institucione, kompani dhe organizata të aviacionit. Departamenti i Njësive të Aviacionit i MPB-së u prezantua me stendën e vet promovuese, ku u prezantua puna, misionet dhe kapacitetet e njësitit të helikopterëve të policisë.
Vizitorët patën mundësinë të shihnin nga afër helikopterin e policisë BELL 412EP, të mësonin rreth pajisjeve të specializuara dhe detyrave që kryen kjo njësi - siç janë kërkim-shpëtimi, shuarja e zjarreve, evakuimet mjekësore, transporti i njësive të ndërhyrjes së shpejtë dhe operacione të tjera me interes publik.
Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me personelin e aviacionit, një numër i madh vizitorësh të rinj mësuan më shumë rreth profesionit të pilotit, procesit të trajnimit dhe rolit të njësive të aviacionit në mbështetjen e sigurisë publike.
Me pjesëmarrjen e saj në " SKOPJE AIR FAIR 2025", Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi edhe një herë angazhimin e saj për transparencë, duke sjellë shërbimet e aviacionit më afër publikut dhe duke stimuluar interesin për aviacionin tek të rinjtë.