Në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve World Police Summit Awards 2026, të mbajtur në kuadër të Samitit Botëror të Policisë në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, iu dorëzua çmimi prestigjioz ndërkombëtar “Excellence in Road Safety”, të cilin Maqedonia e fitoi për projektin “Qytet i Sigurt”.
Bëhet fjalë për një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për reformat që Ministria e Punëve të Brendshme po zbaton në fushën e sigurisë në trafik. Projekti “Qytet i Sigurt” përfaqëson një qasje sistematike për avancimin e sigurisë në trafik, duke ndërthurur teknologjitë moderne, ndryshimet ligjore, zbulimin automatik të kundërvajtjeve dhe digjitalizimin e procedurave, me qëllimin përfundimtar të uljes së aksidenteve rrugore dhe mbrojtjes së jetës së njerëzve.
Në kuadër të Samitit Botëror të Policisë, ministri Toshkovski pati nderin të mbajë fjalim edhe gjatë sesionit të fjalimeve përshëndetëse (Welcoming Speeches), para përfaqësuesve të policive dhe pjesëmarrësve ndërkombëtarë të samitit.
Në fjalimin e tij, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me sfidat bashkëkohore të sigurisë, duke nënvizuar se, ndonëse kompetencat e institucioneve shtetërore kanë kufij kombëtarë, pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të tyre i tejkalojnë këta kufij.
Si shembull konkret të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar, ministri përmendi hetimin e përbashkët të policisë së Maqedonisë dhe FBI-së kundër platformës ilegale online OLVX, e cila lidhet me tregtinë e të dhënave të vjedhura personale dhe mjeteve për krim kibernetik. Ai theksoi se aktivitetet e ndërmarra në Maqedoni kanë kontribuar në sigurinë digjitale të qytetarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Përmasat e një shteti nuk e kufizojnë rëndësinë e kontributit të tij. Një informacion i dhënë në kohë, një hetim i suksesshëm ose një kërcënim i parandaluar mund të mbrojnë jetë njerëzish shumë përtej kufijve të tij”, ishte një nga mesazhet kryesore të fjalimit të ministrit.
Dorëzimi solemn i çmimit përfaqëson një vlerësim ndërkombëtar për angazhimet e policisë së Maqedonisë në avancimin e sigurisë në trafik, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi plotësuese për vazhdimin e reformave, modernizimin dhe zbatimin e zgjidhjeve bashkëkohore në shërbim të qytetarëve.