Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i kryesuar nga ndihmësministri për marrëdhënie me publikun, Muhamed Ismaili, merr pjesë në panairin dhe konferencën ndërkombëtare SAHA Expo 2026, që po mbahet në Stamboll nga 5 deri më 9 maj.
Në kuadër të vizitës, delegacioni realizoi një takim pune me zëvendësdrejtorin e policisë turke, Mustafa Çalıshkan. Në takim u konfirmua bashkëpunimi I fuqishëm dhe i vazhdueshëm ndërmjet MPB-së dhe policisë turke, I bazuar në besimin e ndërsjellë dhe partneritetin. Theks I veçantë iu kushtua përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandimIt të emigrantëve dhe përballjes me sfidat bashkëkohore të sigurisë. Bashkëbiseduesit u pajtuan se përmes koordinimit të shtuar operacional, shkëmbimit të informatave dhe aktiviteteve të përbashkëta do të vazhdojnë të kontribuojnë në forcimin e sigurisë rajonale dhe globale.
Në takim u diskutua edhe për aktivitetet aktuale bilaterale ndërmjet dy vendeve, ku u theksua përparimi në harmonizimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke dhe shkëmbimin e lejeve të drejtimit, si dhe përgatitjet për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e sigurisë. Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e avancimit të bashkëpunimit në fushën e trajnimit dhe edukimit, përmes Memorandumit të Mirëkuptimit të propozuar ndërmjet Akademisë Kombëtare Policore të Turqisë dhe Qendrës për Trajnim Policor.
Pjesëmarrja në SAHA Expo 2026 paraqet një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e sigurisë, industrisë së mbrojtjes dhe zgjidhjeve moderne teknologjike, me qëllim avancimin e kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.