Sot, në aeroportin “Shën Apostol Pavle” në Ohër, u realizua me sukses ushtrimi simulues “Horizonti i Sigurt 2026 – kërcënim i dyfishtë”, në organizimin e Sektorit të Çështjeve të Policisë me kompetencë të përgjithshme pranë Byrosë së Sigurisë Publike, në bashkëpunim me TAV Maqedoni.
Në ushtrim ishin të pranishëm drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm për operacione i TAV Maqedoni, Pero Lupevski, si dhe përfaqësues nga disa institucione të përfshira në sistemin e sigurisë dhe menaxhimit të krizave.
Ushtrimi simulues u realizua në përputhje me Planin nacional për veprim në situata të jashtëzakonshme të shkaktuara nga veprimet e paligjshme kundër sigurisë së aviacionit civil dhe kishte për qëllim testimin e gatishmërisë dhe koordinimit të të gjitha shërbimeve kompetente në kushte të kërcënimeve komplekse të sigurisë.
Skenari i ushtrimit përfshiu disa faza, duke përfshirë diversionin me mjet shpërthyes të improvizuar në zonën VIP, sulmin e koordinuar terrorist me krizë pengjesh në ndërtesën e terminalit, aktivizimin e shtabit të krizës, si dhe reagimin e sinkronizuar të njësive speciale, evakuimin, negociatat dhe neutralizimin e autorëve, të shoqëruara me ndërhyrjet mjekësore dhe stabilizimin e gjendjes.
Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, theksoi se ushtrimet e këtilla kanë rëndësi të jashtëzakonshme për sistemin e sigurisë.
“Qëllimi i këtij ushtrimi është testimi gjithëpërfshirës i sistemit të reagimit në kushte të kërcënimeve komplekse të sigurisë, përmes simulimit të skenarëve realë. Përmes aktiviteteve të tilla e verifikojmë gatishmërinë operative të nëpunësve policorë, aftësinë e tyre për reagim të shpejtë dhe efikas, si dhe nivelin e koordinimit dhe komunikimit ndërmjet të gjithë subjekteve të përfshira”, theksoi Janev.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për operacione i TAV Maqedoni, Pero Lupevski, nënvizoi se siguria e udhëtarëve dhe personelit është prioritet kryesor.
“Ushtrimi i sotëm simulues në aeroportin ‘Shën Apostol Pavle’ konfirmoi gatishmërinë e lartë të shërbimeve të sigurisë së TAV Maqedoni dhe koordinimin e shkëlqyer me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Përmes ushtrimeve të tilla e forcojmë aftësinë për reagim të shpejtë dhe efikas në kushte të sfidave komplekse të sigurisë”, deklaroi Lupevski.
Me realizimin e ushtrimit u testuan kapacitetet për reagim të shpejtë, koordinimi dhe komunikimi ndërinstitucional, si dhe aftësia për menaxhim efikas të situatave të krizës, me theks të veçantë në mbrojtjen e udhëtarëve, personelit dhe infrastrukturës së aeroportit.
MPB falënderon të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në përgatitjen dhe realizimin e ushtrimit, përfshirë TAV Maqedoni, shërbimin zjarrfikës dhe shërbimin e ndihmës së shpejtë mjekësore pranë TAV Maqedoni.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe TAV Maqedoni edhe në të ardhmen do të vazhdojnë me aktivitete dhe ushtrime të përbashkëta, me qëllim të ngritjes së vazhdueshme të nivelit të sigurisë dhe gatishmërisë për përballimin e të gjitha llojeve të kërcënimeve.