Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Ministri Toshkovski dhe kryeministri Mickoski në SPB Veles: Qendër komanduese e modernizuar, „Qyteti i sigurt“ vihet në funksion, numri i viktimave në komunikacion është ulur ndjeshëm

Ministri Toshkovski dhe kryeministri Mickoski në SPB Veles: Qendër komanduese e modernizuar, „Qyteti i sigurt“ vihet në funksion, numri i viktimave në komunikacion është ulur ndjeshëm
 
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, së bashku me kryetarin e Qeverisë Hristijan Mickoski, sot, në kuadër të vizitës në Veles, vizituan qendrën e modernizuar komanduese të SPB Veles, ku u njohën me funksionimin e saj dhe shënuan fillimin e funksionimit të sistemit „Qyteti i sigurt“ në territorin e SPB Veles.
Ministri Toshkovski informoi se qendra e re komanduese është vendosur në hapësira tërësisht të rikonstruktuara dhe të rinovuara, të cilat në të kaluarën ishin shfrytëzuar nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa më pas për rreth 15 deri në 20 vjet nuk ishin në përdorim. Me vënien e tyre në funksion, SPB Veles fiton një hapësirë bashkëkohore nga e cila realizohen aktivitetet e lidhura me sistemin „Qyteti i sigurt“.
„Vetëm gjatë ditës së djeshme, për 24 orë, kemi konstatuar rreth 124 gjoba, ndërsa sot deri tani rreth 27, përkatësisht për një ditë e gjysmë rreth 150 gjoba në territorin e SPB Veles, ku përfshihen Velesi, Kavadari, Negotina dhe Demir Kapia. Pjesa më e madhe janë për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa tre-katër gjoba janë për kalim në semafor të kuq. Kjo është një përmirësim i jashtëzakonshëm i respektimit të rregullave të komunikacionit nga ana e qytetarëve të Maqedonisë “, theksoi Toshkovski.
Ministri theksoi se qëllimi themelor i sistemit „Qyteti i sigurt“ nuk është ndëshkimi dhe mbushja e buxhetit, por ndryshimi i shprehive në komunikacion dhe shpëtimi i jetëve njerëzore.
„Dua t’u falënderohem edhe një herë, para së gjithash, qytetarëve maqedonas, sepse me implementimin e sistemit, qëllimi fillestar i të cilit është shpëtimi i jetëve njerëzore dhe jo mbushja e buxhetit, treguam se vërtet mund të sillemi në mënyrë evropiane. Efektet pozitive të një sjelljeje të tillë janë numër shumë më i vogël i viktimave, numër shumë më i vogël i aksidenteve rrugore dhe shumë më pak pasoja negative nga mosrespektimi i rregullave të komunikacionit“, theksoi Toshkovski.
Duke iu referuar pasojave nga mosrespektimi i rregullave të komunikacionit, ministri theksoi se aksidentet tragjike rrugore janë një realitet që mund ta godasë secilin, duke iu referuar aksidentit të djeshëm rrugor në rrugën Milladinovc – Aerodrom, në të cilin dy persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa tre persona u lënduan, prej të cilëve dy janë në gjendje veçanërisht të rëndë, kërcënuese për jetën.
„E gjithë kjo që po na ndodh lidhur me aksidentet rrugore nuk është diku larg. Është këtu dhe mund t’i ndodhë secilit. E përsëris, kurrë nuk do të kemi aksident rrugor me pasoja fatale nëse respektohen rregullat e komunikacionit. Kjo vërtet duhet të depërtojë te të gjithë“, porositi ministri.
Toshkovski shprehu mirënjohje edhe për mediat, kompanitë me përgjegjësi shoqërore dhe organizatat që u përfshinë në fushatën për ngritjen e kulturës në komunikacion, duke veçuar Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe futbollistët që morën pjesë në fushatën promovuese për respektimin e rregullave të komunikacionit.
Si tregues veçanërisht të rëndësishëm për efektet e masave të ndërmarra, ministri i theksoi të dhënat për numrin e viktimave në komunikacion.
„Deri në fund të muajit gusht, nëse vitin e kaluar kemi pasur 96 viktima, këtë vit për të njëjtën periudhë kemi 61 viktima. Ky është një dallim i jashtëzakonshëm për një periudhë prej një viti. Sipas informacioneve që marr nga ekspertët, nëse vazhdojmë kështu dhe me respektimin e rregullave nga ana e të gjithë qytetarëve, mund të jemi shembull jo vetëm në Evropë, por edhe në botë, se si për një periudhë shumë të shkurtër kemi arritur ta ulim numrin e viktimave për rreth 40 për qind“, theksoi Toshkovski.
Ministri porositi se të gjitha aktivitetet, investimet dhe fushatat që ndërmerren në fushën e sigurisë në komunikacion kanë një qëllim të përbashkët – Maqedonia të bëhet shtet më i sigurt për të gjithë.
„Të gjitha këto i bëjmë vetëm që të arrijmë te një shtet që do të jetë më i sigurt për të gjithë“, përfundoi ministri Toshkovski.

Accessibility Menu