Nëpunës policorë nga SPB Shtip, NjPB Koçan, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminalistike dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike Koçan, sot (20.11.2025) ndërmorën aktivitete në disa lokacione nëpër vend, me ç’rast u arrestuan tetë persona. NjPB Koçan ka paraqitur kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike Koçan ndaj 11 personave për vepra penale korruptive të lidhura me funksionimin e klubit “Puls”, nga të cilët tetë u arrestuan sot, ndërsa tre të tjerë ishin siguruar më herët dhe ndaj tyre tashmë janë caktuar masa.
Dy kontrollorë tatimorë, D.P. dhe D.D., nga Shërbimi i Kontrollit Tatimor në Inspektoratin Tatimor Rajonal në Drejtorinë Rajonale Shtip, janë denoncuar se e kanë keqpërdorur detyrën dhe autorizimin e tyre zyrtar dhe qasjen në të dhëna dhe informacione për kontrolle të pa paralajmëruara në subjekte juridike — tatimpagues, dhe me qëllim të përfitojnë dobi të kundërligjshme financiare dhe dhurata, i kanë zbuluar informatat dhe e kanë paralajmëruar personin përgjegjës në klub për kontrollet. Ata janë denoncuar për Marrje ryshfet sipas nenit 357 të Kodit Penal, ndërsa personi përgjegjës M.J. — djali i pronarit të vërtetë të “Puls” — është denoncuar për Dhënie ryshfet sipas nenit 358 të Kodit Penal.
Gjashtë persona të tjerë, D.Ç., A.Ç., A.K., A.Ç., N.T. dhe A.K., inspektorë tatimorë dhe udhëheqës nga drejtoritë rajonale të DAP-së në Shtip dhe Strumicë, u kanë mundësuar subjekteve juridike “MMMM Cafe” dhe “Puls” të shmangin kontrollet tatimore dhe të punojnë pa fiskalizim të rregullt, me ç’rast dyshohen se kanë kryer veprën penale - Keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar në pajtim me nenin 353 të Kodit Penal.
Pronari i “Puls”, D.J., është denoncuar për Falsifikim dokumenti sipas nenit 378 të Kodit Penal, pasi për një periudhë të gjatë kohe, me vetëdije dhe me qëllim, gjatë kontrolleve nga Drejtoria e të Ardhurave Publike ka paraqitur aparate fiskale të ndryshuara me raporte të kontrollit fiskal me të dhëna të pavërteta, të cilat i ka përdorur si të vërteta, me qëllim shmangien e gjobave financiare dhe mbylljen e objektit.
E dyshuar është edhe një inspektore nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, V.K., e cila gjithashtu është përfshirë me procedurën paraprake dhe për të cilën tani janë siguruar dëshmi shtesë për veprën penale Zbulim i sekretit zyrtar sipas nenit 360 të Kodit Penal, për shkak të zbulimit të informacioneve për kontrolle të pa paralajmëruara.