Më 26.02.2026 në orën 12:00 në Strumicë, nëpunës policorë nga SPB Strumicë e privuan nga liria J.T. (53) nga Strumica. Sipas denoncimit, ajo në qershor të vitit 2025 një banori të një fshati të Strumicës i kishte dhënë para në shumën prej 2,700 eurosh, për të cilat tani ka kërkuar që t'i kthejë një shumë joproporcionale prej 15,000 eurosh.
Në të vërtetë, dje i dëmtuari realizoi takim me J.T. të cilës duhej t'i paguante 100 euro, një shumë që ajo e përcaktoi si kamatë mujore për borxhin kryesor të fajdesë. Momentin kur ia ka dhënë kartëmonedhën prej 100 eurosh, e cila ishte shënuar më parë, J.T. është privuar nga liria. Në këtë rast, është ushtruar kontroll ndaj saj dhe u gjet një kartëmonedhë e shënuar prej 100 eurosh, një fletore dhe fletë letre në të cilat i kishte shënuar shumat e mjeteve financiare që ua kishte dhënë personave dhe shumat që duhej t'i ktheheshin si kamatë.
Më vonë, me urdhër gjykate, ishte realizuar bastisje në shtëpinë e saj, me ç'rast janë gjetur dhe sekuestruar para (denarë dhe euro), akte noteriale, si dhe fletore dhe fletë në të cilat i kishte shënuar shumat e dhëna të parave, nga të cilat u konstatua se J.T. deri më tani në disa raste u kishte dhënë para disa personave, ndërsa ata duhej t'i kthenin një shumë joproporcionale me të cilën ajo kishte fituar dobi të kundërligjshme pasurore.
J.T. është ndaluar në Stacionin Policor të Strumicës dhe për rastin u njoftua prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike të Strumicës. Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër saj do të ngrihet kallëzim penal për shkak të dyshimit të bazuar se ajo ka kryer veprën penale "fajde" sipas nenit 260 të Kodit Penal.