SPB Strumicë ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Strumicës kundër K.K. (35) nga Strumica për shkak të bazave të dyshimit se ka kryer veprën penale "keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat", kundër D.P.S. (61) nga Strumica, K.B. (37) nga Bogdanci, L.J. (63) nga fshati Novo Sellë i Strumicës dhe L.Gj. (62) nga Strumica për shkak të bazave dyshimit se kanë kryer veprën penale "punë e pandërgjegjshme në detyrë" dhe kundër G.P. (58) nga Shkupi për shkak të bazave të dyshimit se ka ndihmuar në kryerjen e veprave penale "keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat" dhe "punë e pandërgjegjshme në detyrë".
I denoncuari K.K., në cilësinë e ish-kryetarit të komunës së Strumicës, ka shkelur rregullat e procedurës së prokurimit publik për autobusë elektrikë për nevojat e NTP "Strumica-Transport" nga Strumica duke angazhuar të denoncuarin G.P. si person përgjegjës i ngarkuar për përgjigjet e çështjeve teknike, pjesëmarrjen në evaluimin teknik të ofertave, mbikëqyrjen e implementimit dhe realizimit të plotë të kontratës, edhe pse ai nuk i ka pasur kualifikimet e duhura profesionale dhe licencën e nevojshme A për mbikëqyrje në fushën e elektroteknikës të dhënë nga Oda e Arkitektëve të Autorizuar dhe Inxhinierëve të Autorizuar. Gjithashtu, i denoncuari K.K. me vetëdije i ka shkelur edhe dispozitat e procedurës së prokurimit publik përmes dakordimit me G.P. në atë mënyrë që në dokumentacionin e tenderit ishin shënuar specifikime të cilat pamëdyshje dhe pothuajse në mënyrë identike korrespondonin pikërisht me specifikimet e autobusëve të blerë elektrikë.
I denoncuari D.P.S., në cilësinë e drejtorit të NTP "Strumica-Transport", ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme dhe ka lëshuar mbikëqyrjen e detyruar të procedurës së gjithëmbarshme dhe implementimin e prokurimit publik, me ç'rast më 12.03.2024 ka nënshkruar Kontratën për prokurimin publik të 10 autobusëve të rinj elektrikë përmes lizingut financiar, në ç' procedurë ka marrë pjesë një person i cili nuk i ka pasur kualifikimet e nevojshme profesionale dhe licencën e nevojshme për mbikëqyrje në fushën e elektroteknikës.
E denoncuara K.B., në cilësinë e kryetarit të komisionit për prokurime publike në NTP "Strumica-Transport", së bashku me të denoncuarit L.J. dhe L.Gj., në cilësinë e anëtarëve të komisionit për prokurime publike, në dokumentacionin e tenderit për procedurën e hapur për prokurimin publik të autobusëve elektrikë për transportin publik nëpërmjet lizingut financiar për nevojat e NTP "Strumica-Transport", si person përgjegjës i ngarkuar për përcjelljen e realizimit të kontratës e caktuan të denoncuarin G.P., i cili ishte vetëm bartës i licencës B për mbikëqyrje në fushën e elektroteknikës, nuk ishte i kualifikuar për ato detyra pune në prokurimin publik në fjalë, nuk kishte as të drejtë të përgjigjej në çështjet teknike, të merrte pjesë në evaluimin teknik të ofertave, të mbikëqyrte implementimin dhe realizimin e plotë të kontratës.
Me veprimet e përmendura janë blerë 10 autobusë elektrikë për një shumë prej 429,933,595 denarë, me çka është shkaktuar dëm material në përmasa shumë të mëdha, ndërsa me mungesën e personit i cili i ka kualifikimet e nevojshme profesionale dhe licencën e nevojshme A për mbikëqyrje në fushën e elektroteknikës janë vënë në pikëpyetje vlera reale, cilësia, siguria dhe besueshmëria e specifikimeve teknike të autobusëve të blerë elektrikë.