Në bazë të nenit 11 të Ligjit për Shkollë të Mesme Policore („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ nr. 258/25 dhe 79/26), Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut shpall:
THIRRJE PUBLIKE
për pranimin e 200 nxënësve të rregullt të cilët kanë interes të regjistrohen në Shkollën e Mesme Policore “7 Maji”, në kuadër të Akademisë Policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme
1. Nxënësit e rregullt që kanë përfunduar vitin e dytë të arsimit të mesëm në shkollat e mesme në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (kandidatët) duhet t’i plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për pranim dhe përzgjedhje, të përcaktuara me ligj dhe me akt nënligjor të miratuar në bazë të ligjit.
2. Çdo kandidat duhet t’i plotësojë këto kushte të përgjithshme:
të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut;
të mos ketë mbushur 18 vjeç në ditën e shpalljes së thirrjes publike;
ta përdorë në mënyrë aktive gjuhën maqedonase;
të jetë i aftë nga ana shëndetësore dhe psikofizike.
3. Çdo kandidat duhet t’i plotësojë këto kushte të veçanta:
nota mesatare në dy vitet e përfunduara të arsimit të mesëm të jetë së paku “mirë”, dhe ndaj nxënësit të mos jenë shqiptuar masa pedagogjike në shkollën ku ka përfunduar vitin e parë dhe të dytë;
të posedojë aftësitë e nevojshme motorike;
ta kalojë testin e përgjithshëm arsimor;
ta kalojë me sukses intervistën (bisedën individuale).
4. Për përmbushjen e kushteve të përgjithshme, kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet në origjinal ose kopje të noterizuar:
certifikatën e lindjes;
shtetësia;
dëftesat e përfundimit të vitit të parë dhe të dytë të arsimit të mesëm;
vërtetim mjekësor për aftësi shëndetësore dhe psikofizike;
dy fotografi me përmasa 3.5 × 4.5 cm.
5. Kandidatët aplikojnë me paraqitje të kërkesës nga prindi, kujdestari ose përfaqësuesi ligjor, i cili duhet të identifikohet me letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme.
Gjatë paraqitjes së kërkesës, prindi, kujdestari ose përfaqësuesi ligjor nënshkruan deklaratë për pjesëmarrje vullnetare në procedurën e pranimit dhe përzgjedhjes, duke hequr dorë nga e drejta për të kërkuar dëmshpërblim nga Ministria në rast të lëndimit gjatë zhvillimit të përzgjedhjes.
Kërkesës i bashkëngjiten dokumentet për plotësimin e kushteve të përgjithshme.
Kërkesat dorëzohen në një nga vendet e mëposhtme për aplikim, përkatësisht:
Sektori për Punë të Brendshme – Shkup:
· Stacioni Policor Gazi Babë;
· Stacioni Policor Bit Pazar;
· Stacioni Policor Karposh;
Sektori për Punë të Brendshme – Manastir;
Sektori për Punë të Brendshme – Veles;
Sektori për Punë të Brendshme – Kumanovë;
Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë;
Sektori për Punë të Brendshme – Ohër;
Sektori për Punë të Brendshme – Strumicë;
Sektori për Punë të Brendshme – Shtip.
Afati për paraqitjen e kërkesave është 15 ditë, pa e llogaritur ditën e shpalljes së thirrjes publike.
Dokumentet dhe dëshmitë dorëzohen në vendet e shënuara nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
6. Përzgjedhjen e kandidatëve e zhvillon Komisioni për Pranim dhe Përzgjedhje, i formuar nga Ministri i Punëve të Brendshme. Pas verifikimit të dokumentacionit, përzgjedhja zhvillohet në tri faza:
Kontrolli i aftësive motorike - nga Komisioni për kontrollin e aftësive motorike:
a) Konfirmimi i gjatësisë së nxënësit, me ç’rast lartësia minimale për meshkuj është 170 cm, ndërsa për femra është 160 cm.
b) Kryerja e ,,pompave’’, me ç’rast vlerësohet numri i kryerjes së pompave në mënyrë të duhur në interval prej 10 sekonda. Numri minimal i pompave të meshkuj është 9, ndërsa për femra është 6.
c) Kryerja e ushtrimeve të barkut ,,ngritje trungu’’, me ç’rast vlerësohet numri i kryerjes së ushtrimeve të barkut në mënyrë të duhur në interval prej 30 sekonda. Numri minimal i ushtrimeve të barkut për meshkuj është 16, ndërsa për femra është 12.
ç) Kryerja e kërcimit së gjati nga vendi, ku matet gjatësia e kërcimit nga pika e shtytjes deri te pika e uljes me thembra. Gjatësia minimale është 170 cm për meshkuj dhe 140 cm për femra. Kërcimi realizohet në dy tentativa
d) kryerja e vrapimit ,,sprint 100 metra’’, ku matet koha nga starti deri në vijën e finishit në 100 metra. Koha minimale për meshkuj është 15 sekonda, ndërsa për femra 18 sekonda
dh) ,,Vrapim në 1200 metra’’ për meshkuj, ku matet koha nga starti deri në vijën e finishit. Koha minimale është 5 minuta;.
e) ,,Vrapim në 600 metra’’ për femra, ku matet koha nga starti deri në vijën e finishit. Koha minimale është 2 minuta e 30 sekonda
Pikët nga kontrolli i aftësive motorike përfaqësojnë shumën e pikëve të fituara në të gjitha ushtrimet individuale dhe mund të arrijnë maksimumi 40 pikë.
Nëse kandidati nuk e arrin minimumin vetëm në një ushtrim, konsiderohet se e ka kaluar fazën nëse nga ushtrimet e tjera ka grumbulluar së paku 21 pikë.
Testi me shkrim (testi i përgjithshëm arsimor)
Testi me shkrim (testi i përgjithshëm arsimor), i cili zhvillohet nga Komisioni për pranim dhe përzgjedhje dhe përbëhet nga 40 pyetje me zgjedhje të shumëfishtë.
Çdo pyetje vlen 1 pikë dhe përbëhet nga:
a) fjalia hyrëse;
b) pyetja kryesore, e formuluar qartë dhe pa paqartësi;
c) tre alternativa (përgjigje), prej të cilave vetëm një është e saktë dhe janë të renditura sipas rendit numerik ose alfabetik.
Numri maksimal i pikëve që mund të fitojë kandidati në këtë fazë është 40 pikë.
Konsiderohet se kandidati e ka kaluar testin me shkrim nëse fiton së paku 21 pikë.
Intervista, e cila zhvillohet nga Komisioni për pranim dhe përzgjedhje si bisedë individuale me kandidatin.
Me intervistën vlerësohen:
përshtypja e përgjithshme për kandidatin;
aftësitë komunikuese;
motivimi për të ushtruar detyrat policore;
cilësitë personale.
Numri maksimal i pikëve që mund të fitojë kandidati në këtë fazë është 20 pikë.
Konsiderohet se kandidati e ka kaluar këtë fazë nëse ka fituar së paku 11 pikë.
Nëse dy ose më shumë kandidatë, bazuar në shumën e pikëve të fituara në fazat e përzgjedhjes, kanë numër të njëjtë pikësh, Komisioni i fton ata në intervistë shtesë.
7. Për të vazhduar përzgjedhjen, përkatësisht për t'u përfshirë në fazën e ardhshme të përzgjedhjes, kandidati duhet të fitojë numrin minimal të pikëve në fazën që ka përfunduar.
8. Në bazë të numrit të përgjithshëm të pikëve të fituara në fazat individuale të përzgjedhjes (aftësitë motorike, testi me shkrim – testi i përgjithshëm arsimor dhe intervista – biseda individuale me kandidatët), Komisioni për pranim dhe përzgjedhje përpilon listën përfundimtare të renditjes së nxënësve të pranuar në shkollë.
9. Komisioni për pranim dhe përzgjedhje përpilon listën përfundimtare të renditjes së nxënësve të pranuar, e cila publikohet në tabelën e shpalljeve të shkollës dhe në faqen e internetit të Ministrisë.
10. Statusi i nxënësit të rregullt në Shkollën e Mesme Policore fitohet me regjistrimin në Shkollën e Mesme Policore.
Për regjistrimin e nxënësve të rregullt kërkohet pëlqimi me shkrim i prindit, kujdestarit ose përfaqësuesit ligjor të nxënësit.
Të drejtat dhe detyrimet e veçanta të nxënësve në Shkollën e Mesme Policore rregullohen me kontratë, e cila lidhet me prindin, kujdestarin ose përfaqësuesin ligjor të nxënësit.
11. Për nxënësit e regjistruar në Shkollën e Mesme Policore, Ministria e Punëve të Brendshme siguron akomodim në konviktin e nxënësve në kuadër të Akademisë Policore, ushqim dhe veshje pune.
12. Për vitin shkollor të përfunduar në Shkollën e Mesme Policore, Ministria e Punëve të Brendshme lëshon dëftesë.
Për përfundimin e arsimit të mesëm në Shkollën e Mesme Policore lëshohet diplomë. Dëftesa dhe diploma janë dokumente publike.
13. Nxënësit e Shkollës së Mesme Policore, pas përfundimit të vitit të katërt të arsimit, i nënshtrohen provimit për përfundimin e arsimit të mesëm, në përputhje me Ligjin për Arsimin e Mesëm dhe Konceptin për Provimet në Fund të Arsimit të Mesëm.
14. Me nxënësit të cilët do ta përfundojnë Shkollën e Mesme Policore, Ministria e Punëve të Brendshme do të themelojë marrëdhënie pune, pa shpallje publike, në vendin e punës – polic, në përputhje me ligjin.
SHKARKO DOKUMENTET:
Deklaratë për dëmshpërblim dhe përdorimin e të dhënave personale