Në bazë të nenit 241 paragrafi (1) të Ligjit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 169/15, 226/15, 55/16, 11/18, 83/18 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 98/19, 302/20, 122/21, 33/24, 208/24, 193/25, 258/25 dhe 58/26) dhe nenit 50 të Rregullores për mënyrën e realizimit të provimeve për patentë shoferi dhe kriteret më të afërta lidhur me kushtet hapësinore dhe pajisjen materiale-teknike e informatike të qendrave të provimit, si dhe mbajtjen e evidencave lidhur me provimet e realizuara për patentë shoferi, si dhe mënyrën e dhënies dhe marrjes së licencës për qendrën e provimit, formën dhe përmbajtjen e formularit të licencës për qendrën e provimit (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 29/25 dhe 74/26), Ministria e Punëve të Brendshme shpall:
K O N K U R S P U B L I K
PËR ZGJEDHJEN E PERSONIT JURIDIK PËR MARRJEN E
LICENCËS PËR QENDRËN E PROVIMIT VELES
I. Të drejtën e pjesëmarrjes në konkursin publik për zgjedhjen e personit juridik për marrjen e licencës për qendrën e provimit Veles (në tekstin e mëtejmë: “konkurs publik”) ka çdo person juridik që i plotëson kushtet për punë të parashikuara në nenin 244 paragrafi (1) të Ligjit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, përkatësisht:
• të ketë staf profesional;
• të ketë organizim të punës;
• të ketë hapësira të rregulluara të pajisura me pajisje të veçanta (kamera) dhe kapacitete materiale-teknike;
• të ketë pajisje informatike për kryerjen e punëve të nevojshme dhe
• të ketë automjete (në pronësi ose me qira) të kategorive për të cilat qendra e provimit është e autorizuar të realizojë provime për kandidatë për shoferë, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Përveç kushteve të lartpërmendura ligjore, personi juridik duhet të plotësojë edhe kriteret e përcaktuara më hollësisht në nenet 46, 47, 48 dhe 49 të Rregullores për mënyrën e zhvillimit të provimeve për patentë shoferi dhe kriteret më të afërta në lidhje me kushtet hapësinore dhe pajisjen materiale-teknike dhe informatike të qendrave të provimit, si dhe mbajtjen e evidencave në lidhje me provimet e realizuara për patentë shoferi, si dhe mënyrën e dhënies dhe heqjes së licencës për qendrën e provimit, formën dhe përmbajtjen e formularit të licencës për qendër provimi, përkatësisht:
• Qendra e provimit duhet të posedojë hapësira dhe pajisje materiale-teknike të nevojshme për kryerjen e punëve të organizimit dhe realizimit të provimit për patentë shoferi për kandidat për shofer, në pronësi të qendrës së provimit ose me qira.
• Në selinë e qendrës së provimit duhet të ketë hapësira përkatëse për punë administrative të referentëve dhe komisioneve të provimit, hapësirë për punë të drejtuesit, hapësirë për punë të kontrollorit dhe punonjësve të tjerë në qendrën e provimit.
• Aplikimin e provimit për patentë shoferi kandidatët e bëjnë në hapësira të veçanta për aplikim (vende aplikimi), të cilat mund të jenë në pronësi të qendrës së provimit ose me qira, të pajisura me pajisje informatike për aplikim.
• Në selinë e qendrës së provimit dhe në filialet e saj duhet të ketë hapësira përkatëse për realizimin e pjesës teorike të provimit për patentë shoferi që sigurojnë kushte për zhvillimin e pjesës teorike për të paktën 30 kandidatë dhe që duhet të jenë të pajisura me pajisje informatike për zhvillimin e pjesës teorike për të paktën 30 kandidatë për shoferë; kompjuterët që janë pjesë e pajisjes informatike mund të jenë të lëvizshëm (laptopë) dhe të përdoren në seli dhe në filialet e qendrës së provimit, ndërsa hapësirat mund të jenë në pronësi ose me qira. Në këto hapësira duhet të jetë vendosur edhe pajisje për video-mbikëqyrje që mundëson video-regjistrimin e mbarëvajtjes së pjesës teorike të provimit. Për sigurimin e video-mbikëqyrjes, hapësira (klasa) duhet të jetë e pajisur me kamera të cilat, në përputhje me dimensionet dhe karakteristikat e hapësirës, do të mundësojnë regjistrim cilësor që lejon identifikimin e kandidatëve dhe komisionit të provimit gjatë tërë procesit, me mundësi për arkivim dhe dokumentim të materialit të regjistruar.
• Hapësira për zhvillimin e pjesës teorike të provimit (klasa) duhet të ketë sipërfaqe prej të paktën 1.5 m² për kandidat, përkatësisht të paktën 5 m² për komisionin e provimit, të jetë e pajisur me një tavolinë pune, një tabelë shkollore dhe mjete shkollore për sqarimin e mënyrës së mbarëvajtjes së pjesës teorike të provimit, si dhe me ngrohje dhe ftohje të përshtatshme, ventilim, ndriçim dhe tualete.
• Qendra e provimit duhet të posedojë pajisje informatike përkatëse dhe aplikacione softuerike të licencuara që mundësojnë mbarëvajtjen e provimit për patentë shoferi, si dhe qasje për përdorimin e aplikacionit për dhënien elektronike të pjesës teorike të provimit dhe lidhje në internet në selinë dhe filialet e saj prej të paktën 4 mb/s, e dedikuar ekskluzivisht për këtë qëllim.
II. Numri minimal i komisioneve të provimit për rajonin e qendrës së provimit në Veles me vend provimi në Veles, filial dhe vend provimi në Negotinë dhe Kavadar, si dhe vende aplikimi në Veles, Negotinë dhe Kavadar, është të paktën dy komisione provimi.
III. Pjesëmarrësit në konkursin publik duhet të dorëzojnë kërkesë dhe dokumente për përmbushjen e kushteve për kryerjen e punëve të qendrës së provimit në përputhje me ligjin, në afat prej 15 ditësh nga dita e publikimit të konkursit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, rr. “Dimçe Mirçev” nr. 9, 1000 Shkup.
IV. Zgjedhja e personit juridik që do të marrë licencë për qendrën e provimit Veles do të bëhet nga pjesëmarrësit e paraqitur që i plotësojnë kushtet nga pika I e këtij konkursi publik, nga Komisioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme i formuar në përputhje me nenin 50 paragrafi (2) të Rregullores.
V. Brenda 15 ditëve nga realizimi i përzgjedhjes së personit juridik, Ministria e Punëve të Brendshme do ta autorizojë qendrën e provimit Veles, në përputhje me organizimin e njësisë përkatëse organizative – Sektori i Punëve të Brendshme i Ministrisë, përkatësisht qendër e provimit me seli në Veles.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME