Drejtori i Byrosë për Siguri Publike në MPB, Aleksandar Janev, sot bëri një vizitë pune në Njësinë policore në Zajas dhe Osllome, si dhe në Stacionin policor në Kërçovë, gjatë së cilës u takua edhe me nëpunës policorë që kryejnë punën e tyre të përditshme në rrugë dhe në terren.
Fokusi i vizitës ishte roli i policisë në periudhën parazgjedhore dhe në vetë ditën e zgjedhjeve, si dhe parimet e punës dhe sjelljes së nëpunësve policorë, jo vetëm në këtë periudhë të ndjeshme, por edhe në punën e përditshme. Në takime u diskutuan gjithashtu kushtet, sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen nëpunësit policorë, si dhe riorganizimi i ardhshëm i Ministrisë dhe Byrosë së Sigurisë Publike.
Drejtori Janev theksoi se nuk ka vend për dhunë, krim, si dhe sjellje joetike ose joprofesionale. "Policia është një nga hallkat më të rëndësishme në sistem - një institucion që duhet të garantojë me përgjegjësi sigurinë, të zbatojë ligjin dhe të sigurojë që çdo qytetar të mund të ushtrojë lirisht të drejtën e tij demokratike për të zgjedhur. E gjitha varet nga çdo individ, çdo nëpunës policor, të gjithë faktorët", theksoi Janev.
Njëherit, nëpunësve policorë nga rajoni iu dërgua një mesazh i qartë se policia nuk është këtu për të sunduar, por për t'u shërbyer qytetarëve.