Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Janev në vizitë të njësive operative të Policisë Federale Gjermane – shkëmbim përvojash dhe praktikash të mira

Janev në vizitë të njësive operative të Policisë Federale Gjermane – shkëmbim përvojash dhe praktikash të mira
Në kuadër të vizitës së punës në Policinë Federale Gjermane, drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, së bashku me delegacionin e Maqedonisë, vizitoi disa njësi operative dhe organizative të policisë gjermane, me qëllim njohjen e drejtpërdrejtë me funksionimin e tyre, kapacitetet teknike dhe praktikat bashkëkohore në përballjen me sfidat e sigurisë.
Delegacioni vizitoi Qendrën e Përbashkët të Kontaktit të policisë gjermane dhe asaj polake në Sllubice, ku u njoh me modelin e bashkëpunimit policor ndërkufitar, shkëmbimin e shpejtë të informacioneve dhe koordinimin operacional. Në Frankfurt an der Oder u prezantuan organizimi i kontrollit kufitar, procedurat operative dhe zbatimi i teknologjive bashkëkohore, duke përfshirë edhe dronët në mbikëqyrjen e kufirit.
Theks i veçantë iu kushtua vizitës në njësinë e Policisë Federale në afërsi të aeroportit në Hamburg, ku u prezantuan përdorimi i portave elektronike (E-gates), sistemet për mbrojtjen e infrastrukturës së aeroportit, si dhe pajisjet dhe procedurat e specializuara për përballjen me kërcënimet e sigurisë.
Në Hanover, delegacioni realizoi takim me përfaqësues të Policisë Federale, përgjegjës për hetimet lidhur me kriminalitetin, kontrabandimin e emigrantëve dhe trafikimin me qenie njerëzore. Përmes analizës së rasteve konkrete, u shkëmbyen përvoja lidhur me metodat hetimore, zbulimin e rrjeteve kriminale dhe mundësitë për avancimin e veprimit të përbashkët operacional.
Vizitat mundësuan njohje të drejtpërdrejtë me teknologjitë bashkëkohore, modelet organizative dhe praktikat operative të policisë së Gjermanisë, të cilat përbëjnë përvojë të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të policisë së Maqedonisë.
Drejtori Janev shprehu mirënjohje ndaj Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Shkup dhe Qeverisë së Gjermanisë për mbështetjen dhe kontributin në realizimin e vizitës, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të një partneriteti afatgjatë operacional përmes shkëmbimit të informacioneve, trajnimeve të përbashkëta, aktiviteteve hetimore dhe avancimit të standardeve profesionale.
Bashkëpunimi ndërmjet policisë së Maqedonisë dhe asaj të Gjermanisë paraqet një kontribut të rëndësishëm në forcimin e sigurisë evropiane, pasi kërcënimet bashkëkohore të sigurisë kërkojnë institucione të ndërlidhura, besim të ndërsjellë dhe veprim të përbashkët të koordinuar.

Accessibility Menu