Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, sot zhvilloi një vizitë pune në SPB Kumanovë, me ç'rast fokusi ishte vënë në situatën aktuale të sigurisë, aktivitetet policore në lidhje me rastin e fundit të të shtënave, përkatësisht tentimin e vrasjes në Kumanovë, si dhe punën e përgjithshme të strukturave policore në këtë periudhë të ndjeshme parazgjedhore dhe në vetë ditën e zgjedhjeve.
Janev theksoi se policia është një nga shtyllat kryesore të shtetit dhe një institucion që duhet të garantojë se akti më i lartë demokratik - e drejta e votës - do të realizohet lirishëm, në mënyrë paqësore dhe të sigurt.
"E përçova mesazhin qartë dhe zëshëm: nuk ka dhe nuk do të ketë tolerancë për dhunë, ryshfet, ndikime të paligjshme ose çfarëdo veprimtari tjetër kriminale, pa dallim nëse ato vijnë nga individë, grupe apo pjesëtarë të institucioneve", theksoi drejtori Janev.
Ai nënvizoi se policia është një shërbim që zbaton ligjin, jo vullnetin personal, dhe se detyrimi i saj është të jetë garant i rendit, drejtësisë dhe sigurisë.
“Çdo nëpunës policor dhe çdo i punësuar në Ministri duhet të veprojë ekskluzivisht sipas ligjit, me nder dhe integritet. Çdo veprim jashtë këtij ligji, çdo vetëgjyqësi ose ‘punë në mënyrë vetjake’ do të sanksionohet – pa përjashtime dhe pa arsyetime”, tha Janev.
Ai shtoi se shteti duhet të jetë më i fuqishëm se çdo individ që përpiqet të minojë rendin ligjor, duke theksuar se misioni i policisë është t’i shërbejë shtetit dhe qytetarëve, jo interesave personale.