Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Sekretari shtetëror i MPB-së Petrushevski në dialogun e pestë të migracionit në Sarajevë

Sekretari shtetëror i MPB-së Petrushevski në dialogun e pestë të migracionit në Sarajevë
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sasho Petrushevski, mori pjesë dhe udhëhoqi delegacionin e Maqedonisë në konferencën vjetore të Dialogut të Pestë të Migracionit të Sarajevës, e cila u mbajt sot (21.04.2026) në Sarajevë, në organizim të Ministrisë së Sigurisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, me mbështetjen e Zvicrës.
Me këtë konferencë përmbyllet Projekti “Forcimi i menaxhimit të migracionit në Ballkanin Perëndimor”. Ky projekt fokusohet në bashkëpunimin rajonal dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për përballimin e sigurisë në raport me sfidat humanitare dhe migratore, si dhe në organizimin e punëtorive rajonale. Gjatë konferencës u shqyrtua dhe u miratua Deklarata Rajonale, e cila pasqyron rekomandimet kryesore dhe prioritetet e përcaktuara në punëtoritë e mëparshme dhe parashikon krijimin e një rrjeti të përbashkët rajonal bashkëpunimi në fushën e menaxhimit të migracionit, sigurisë kufitare dhe azilit, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe iniciativat aktuale rajonale.
Sekretari shtetëror Petrushevski mori pjesë në sesionin e parë të kësaj konference me temë: “Deklarata Rajonale për menaxhimin e migracionit në Ballkanin Perëndimor, vizion politik dhe angazhime”. Ai shprehu mirënjohje për mundësinë që përmes këtij aktiviteti të shkëmbejë mendime dhe të ndajë përvoja në menaxhimin e migracionit. Në fjalimin e tij, Petrushevski iu referua Deklaratës Rajonale, të cilën e vlerësoi si një kornizë strategjike dhe mandat për vendet e rajonit që të veprojnë së bashku. Ai theksoi se është koha që të kalohet nga deklaratat në sisteme, nga premtimet në projekte, nga vullneti i shprehur në rezultate të matshme.
“Bashkëpunimi në menaxhimin e migracionit është një instrument për stabilitetin e brendshëm, por edhe një investim strategjik në të ardhmen tonë evropiane. Me pozicionimin e MARRI-t (Iniciativa Rajonale për Migracion, Azil dhe Refugjatë) si qendër rajonale përmes së cilës do të realizohet komunikimi dhe raportimi, sigurohet një drejtim për veprimet e mëtejshme dhe orientim operacional i Deklaratës Rajonale të bazuar në objektiva të matshme”, deklaroi Petrushevski.
Në margjinat e kësaj konference, sekretari shtetëror Sasho Petrushevski mori pjesë në një takim bilateral me të dërguarin special për migracion dhe ambasador për konventa të Danimarkës, Nikolaj Hejberg Petersen. Takimi ishte një mundësi e shkëlqyer për shkëmbim idesh në lidhje me forcimin e menaxhimit të migracionit dhe bashkëpunimit rajonal, veçanërisht nga aspekti i zbatimit të Programit të ri Rajonal për menaxhimin e migracionit të Mbretërisë së Danimarkës.

Accessibility Menu