Më 16 shtator, në Podgoricë, Mali i Zi, në takimin e ministrave të Punëve të Brendshme në kuadër të Procesit të Berlinit, delegacioni i Maqedonisë u kryesua nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sasho Petrushevski, i cili mori pjesë në të dyja sesionet.
Në aktivitet morën pjesë ministrat dhe përfaqësues të lartë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, si dhe të vendeve partnere të Procesit të Berlinit.
Sesioni i parë i takimit iu kushtua forcimit të qëndrueshmërisë ndaj krimit të organizuar. Në fjalën e tij, Sekretari i Shtetit Petrushevski theksoi:
“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë i qartë: kalimi nga një qasje reaktive në një qasje proaktive. Nuk mjafton të reagojmë pasi vepra penale të jetë kryer. Duhet t’i identifikojmë me kohë rreziqet dhe modelet, t’i ndërlidhim të dhënat dhe të identifikojmë personat dhe strukturat që qëndrojnë pas aktiviteteve kriminale. Në të njëjtën kohë, duhet të forcojmë qëndrueshmërinë e vetë institucioneve. Integriteti profesional, llogaridhënia, kontrolli i brendshëm efikas dhe toleranca zero ndaj korrupsionit janë parakushte të domosdoshme për një luftë të besueshme kundër krimit të organizuar.
Pikërisht këtu e shohim vlerën e Procesit të Berlinit: ta shndërrojmë përcaktimin e përbashkët politik në bashkëpunim konkret operacional dhe rezultate të matshme. Republika e Maqedonisë mbetet partnere e sigurt dhe aktive në iniciativat rajonale dhe evropiane të sigurisë. Vetëm përmes një qasjeje të koordinuar kombëtare, rajonale dhe evropiane mund t’i parandalojmë dhe zbulojmë në mënyrë më efikase aktivitetet e rrjeteve të krimit të organizuar dhe të sigurojmë ndjekje penale efikase të autorëve.”
Sesioni i dytë i takimit iu kushtua forcimit të kapaciteteve dhe partneriteteve në menaxhimin e kufijve dhe luftën kundër migrimit të paligjshëm. Këtë pjesë të takimit sekretari i Shtetit Petrushevski e hapi me prezantimin e përfundimeve nga Forumi i Shefave të Policive Kufitare, i mbajtur në Shkup më 27 gusht.
Ai prezantoi shkurtimisht këto përfundime të rëndësishme, të cilat pasqyronin mirëkuptimin e përbashkët për prioritetet lidhur me menaxhimin e sigurt, human dhe të koordinuar të kufijve në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian, duke respektuar plotësisht të drejtat e njeriut.
Më pas, sekretari i Shtetit mbajti fjalën e tij, duke theksuar:
“Përfundimet e miratuara në Shkup në Forumin e Shefave të Policive Kufitare përbëjnë një bazë të mirë për fazën e ardhshme. Detyra jonë tani është t’i shndërrojmë ato në aktivitete konkrete – shkëmbim më të mirë të informacionit, rrjete më të fuqishme kontakti, më shumë operacione dhe trajnime të përbashkëta, interoperabilitet më të mirë dhe besim edhe më të madh reciprok.
Vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të koordinuar dhe të përgjegjshme mund të sigurojmë kufij të sigurt dhe të menaxhuar mirë, por njëkohësisht edhe në përputhje me vlerat evropiane dhe me respektim të plotë të dinjitetit njerëzor.”
Procesi i Berlinit u krijua për të mbështetur vendet e rajonit në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian dhe sigurimin e përfitimeve konkrete për qytetarët, përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe avancimit të integrimit evropian..