Sot, drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Aleksandar Janev, realizoi një vizitë pune në SPB Veles dhe në qendrën rajonale të komandës të formuar për menaxhimin operativ të aktiviteteve në lidhje me zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Fokusi i takimit ishte situata aktuale e sigurisë në rajon dhe përgatitjet e policisë në prag të rrethit të parë zgjedhor, me theks të qartë në ruajtjen e stabilitetit, rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve, si dhe parimin e tolerancës zero ndaj dhunës dhe sjelljes së paligjshme.
Në takim u diskutua për kapacitetet operative të policisë, shpërndarjen e burimeve në pikat kritike, përdorimin optimal të pajisjeve digjitale dhe protokollet për veprim në rastet e prishjes së rendit publik ose procesit zgjedhor.
Vëmendje e veçantë iu kushtua parandalimit të të gjitha formave të dhunës, nga më të lehta deri më të rënda, si dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes së vullnetit demokratik të qytetarëve.
Drejtori Janev theksoi pa mëdyshje se çdo përpjekje për të prishur rendin, për të ndikuar në procesin zgjedhor ose për të kufizuar të drejtat e qytetarëve do të përballet me një reagim aktiv, të shpejtë dhe profesional të policisë.
"Ligji vlen për të gjithë njëlloj, pa përjashtime dhe pa privilegje, pa dallim nëse bëhet fjalë për qytetar, funksionar apo nëpunës policor. Policia duhet të jetë mur mbrojtës i Ligjit, të garantojë sigurinë dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të shtetit", theksoi drejtori Janev.
Ai shtoi se parandalimi mbetet vija e parë e veprimit të policisë, por se kushdo që zgjedh të veprojë në kundërshtim me Ligjin do të përballet me përgjegjësi në përputhje me dispozitat ligjore.
Me vizitën e SPB Veles, drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike konfirmoi angazhimin e policisë për një proces zgjedhor të qetë, të sigurt dhe ligjor, si dhe gatishmërinë e të gjitha strukturave të policisë për të siguruar mbrojtje të plotë të rendit publik dhe sigurinë e qytetarëve.