Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Drejtori i Byrosë për Siguri Publike Janev priti në Ohër Sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit, Urkiza

Drejtori i Byrosë për Siguri Publike Janev priti në Ohër Sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit, Urkiza

 
Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Valdesi Urkiza, sot (08.07.2026) mbërriti në Ohër, prej nga e nisi vizitën e tij zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në aeroportin “Shën Apostulli Pavle”, Sekretari i Përgjithshëm Urkiza u prit nga drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, ku të dy zhvilluan edhe një takim dypalësh.
Gjatë takimit u bisedua për aktivitetet e orientuara drejt forcimit të bashkëpunimit operacional, shkëmbimit të informatave dhe avancimit të mekanizmave të përbashkët për përballimin e sfidave bashkëkohore të sigurisë, si dhe për thellimin e partneritetit me Interpolin dhe avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, si një nga parakushtet kryesore për luftë efikase kundër krimit ndërkufitar dhe të organizuar dhe për rritjen e sigurisë së qytetarëve.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Ohër, Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, i shoqëruar nga drejtori i Byrosë për Siguri Publike, vizitoi disa nga monumentet më të rëndësishme kulturore dhe historike të qytetit. Gjatë vizitës ai u njoh me trashëgiminë e pasur kulturore dhe vlerat historike të Ohrit, i cili, si pasuri natyrore dhe kulturore, është i regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Vizita në këto monumente i dha mundësi mysafirit të lartë të njihej nga afër me traditën, kulturën dhe rëndësinë historike të Ohrit, një prej qyteteve më të vjetra dhe më të njohura në rajon.

Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Urkiza, së bashku me drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Janev, vizituan edhe patrullat e përbashkëta policore maqedonase-serbe, të cilat janë të angazhuara në Ohër gjatë sezonit veror turistik. Gjatë vizitës, Sekretari i Përgjithshëm u njoh me mënyrën e funksionimit të këtyre patrullave dhe rolin e tyre në sigurimin e një niveli më të lartë të sigurisë për qytetarët dhe turistët. U theksua se ky model i bashkëpunimit ndërkombëtar policor kontribuon në forcimin e besimit ndërmjet shërbimeve policore, komunikim më efikas me vizitorët e huaj dhe një nivel më të lartë sigurie në qendrat turistike.

Ohri, si pjesë e trashëgimisë botërore kulturore dhe natyrore të mbrojtur nga UNESCO, ishte fillimi simbolik i kësaj vizite, sepse siguria nuk nënkupton vetëm përballimin e kërcënimeve, por edhe kujdesin për mbrojtjen e vlerave, trashëgimisë dhe pasurisë që ua lëmë brezave të ardhshëm.

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të Interpolit vazhdon nesër në Shkup, me pjesën zyrtare të programit, në kuadër të së cilës janë paraparë aktivitete në Ministrinë e Punëve të Brendshme, vizitë në Akademinë Policore, takime me udhëheqësit më të lartë shtetërorë dhe bisedime për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

Accessibility Menu