Sot (11.08.2025) Drejtori i Byrosë Për Siguri Publike, Aleksandar Janev, në SPB Tetovë realizoi takim me udhëheqësinë, në të cilin u shqyrtuan hollësisht të gjitha rrethanat dhe masat e ndërmarra pas incidentit të djeshëm të armatosur, në të cilin humbi jetën një person ndërsa u plagosën katër persona.
"Dua që qytetarët e Tetovës dhe të rajonit ta dinë se policia është plotësisht e mobilizuar dhe e përkushtuar. Po ndërmerren aktivitete që të garantohet dhe të ofrohet siguri. Nuk do të lejojmë që frika dhe dhuna e individëve të prishin sigurinë dhe qetësinë e përditshme në komunitet. Në të njëjtën kohë, autorëve dhe të gjithë atyre që mendojnë se mund t'i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe mospajtimet me armë u bëj porosi se do të gjenden, do të nxirren para drejtësisë dhe do të sanksionohen. Policia ka vënë në funksion të gjitha shërbimet e nevojshme për të kapur të gjithë të përfshirët në këtë incident", tha vendosmërisht drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Janev, duke shtuar se siguria është vlera jonë e përbashkët.
"U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tetovës dhe kudo në mbarë vendin që të bashkëpunojnë me policinë, të paraqesin informacione dhe së bashku të ndërtojnë një mjedis në të cilin nuk ka vend për krimin dhe dhunën. Vetëm së bashku mund t’u kundërvihemi individëve dhe grupeve që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne njerëzit e ndershëm", theksoi Janev, duke përfunduar se Maqedonia dhe të gjithë qytetarët meritojnë paqe dhe qetësi, dhe policia është këtu për të ofruar këtë.