Në periudhën nga 16 deri më 18 nëntor 2026, delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i kryesuar nga ndihmësministri për Akademinë Policore, mr. Vllatko Mitkovski, mori pjesë në aktivitetet e organizuara nga Asociacioni Ndërkombëtar i Akademive Policore (INTERPA), të cilat u mbajtën në Doha të Katarit.
Në kuadër të aktiviteteve u mbajt Konferenca e 15-të Ndërkombëtare e INTERPA-s, me temë “Roli i ardhshëm i akademive policore në krijimin dhe menaxhimin e njohurive të sigurisë në epokën e transformimit digjital”, si dhe Mbledhja e 15-të e Asamblesë së Përgjithshme dhe Mbledhja e 30-të e Bordit Ekzekutiv të Asociacionit.
Në fokus të konferencës ishin sfidat dhe perspektivat bashkëkohore në arsimin dhe trajnimin policor, me theks të veçantë në menaxhimin strategjik të njohurive të sigurisë, transformimin digjital, zbatimin e inteligjencës artificiale, luftimin e krimit kibernetik dhe hetimet digjitale, si dhe shndërrimin e përvojave praktike policore në njohuri institucionale. Gjithashtu, u shqyrtuan edhe çështje që lidhen me udhëheqjen bashkëkohore, motivimin e të punësuarve dhe avancimin e kapaciteteve profesionale përmes shkëmbimit ndërkombëtar të njohurive dhe përvojave.
Kontribut i rëndësishëm i delegacionit të MPB-së ishte edhe prezantimi i përfundimeve dhe rekomandimeve nga Punëtoria për Lidershipin e Grave në Polici, e mbajtur në Shkup, në kuadër të mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe Bordit Ekzekutiv. Me këtë rast, theksi u vu në avancimin e barazisë gjinore, forcimin e kapaciteteve udhëheqëse dhe krijimin e mundësive për zhvillim profesional dhe pjesëmarrje më të madhe të grave në strukturat drejtuese të policisë.
Në mbledhje u shqyrtuan edhe aktivitetet e ardhshme të Asociacionit, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare, me qëllim të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe avancimit të arsimit dhe trajnimit policor.
Pjesëmarrja e delegacionit të MPB-së në këto aktivitete përbën dëshmi të përkushtimit të vazhdueshëm të Ministrisë ndaj zhvillimit të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, shkëmbimit të praktikave të mira dhe avancimit të standardeve dhe kapaciteteve profesionale në polici.