Më 18.11.2026, zyrtarë policorë nga Njësia Policore për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor – Koçan, realizuan aktivitet parandalues me moton „Të jemi të përgjegjshëm para vendkalimit të këmbësorëve“, i dedikuar për këmbësorët. Gjatë aktivitetit parandalues, përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me këmbësorët, atyre iu theksua rëndësia e të qenit të përgjegjshëm si pjesëmarrës në komunikacion.
Më 18.11.2026, në tregun e qytetit në Vinicë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Vinicës realizuan një fushatë edukative me moton „Të mbrohemi nga vjedhjet e xhepave“. Fushata u realizua përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët, të cilëve iu dhanë këshilla për vetëmbrojtje nga mashtrimet dhe deliktet pronësore (vjedhjet grabitqare, grabitjet, vjedhjet e paturpshme, vjedhjet e xhepave dhe vepra të tjera penale).
Në veçanti, qytetarëve iu theksua nevoja për bashkëpunim me policinë dhe komunikim në kohë, para së gjithash përmes raportimit të saktë dhe të shpejtë në numrin pa pagesë 112. Me këtë rast, atyre iu shpërndanë edhe fletushka me përmbajtje edukative.
Më 18.11.2026, zyrtarë policorë nga Njësia e Punëve të Brendshme Probishtip, realizuan aktivitet parandalues me rastin e sezonit të sigurt të gjuetisë, gjatë të cilit zhvilluan takim me udhëheqësinë dhe anëtarët e shoqatës së gjuetarëve „PRO – LlOV“ – Probishtip.
Gjatë takimit, udhëheqësisë dhe gjuetarëve iu theksua detyrimi për respektimin e Ligjit për Gjueti dhe Ligjit për Armët, si dhe përdorimi i armëve ekskluzivisht për qëllime të lejuara. Para çdo të shtëne, gjuetari duhet të identifikojë me siguri objektivin dhe të ketë kujdes për praninë e mundshme të gjuetarëve të tjerë, alpinistëve, bujqve apo kalimtarëve të rastit.
Është rreptësisht i ndaluar përdorimi i armëve të zjarrit nën ndikimin e alkoolit ose substancave psikoaktive. Gjithashtu, u bë apel që të raportohen personat që gjuajnë pa leje ose jashtë ditëve të lejuara për gjueti.
Gjatë takimit, udhëheqësisë dhe të pranishmëve iu shpërndanë fletushka edukative me temën „Fokusi te siguria“, përmes të cilave u theksuan masat e sigurisë gjatë përdorimit të armëve, me qëllim përmirësimin e sigurisë gjatë aktiviteteve të gjuetisë. NjPB Probishtip apelon për sjellje të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë pjesëmarrësve në gjueti dhe të qytetarëve.
Më 18.11.2026, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor – Sveti Nikollë, realizuan një fushatë edukative-parandaluese me rastin e Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Aksidenteve në Trafik, e cila shënohet çdo vit në javën e tretë të muajit nëntor, me moton „Rrugët kanë historinë e tyre – Thuaj stop vdekjeve në rrugë“.
Më 18.11.2026, në disa lokacione në zonën qendrore të qytetit të Berovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor – Berovë, realizuan një fushatë edukative me moton „Bëhu gati për një udhëtim të sigurt në dimër“.
Fushata u realizua përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët (drejtuesit e automjeteve), të cilëve iu shpërndanë fletushka edukative dhe iu theksua rëndësia e posedimit dhe mbajtjes së pajisjeve të detyrueshme dimërore në automjete, të cilat janë të detyrueshme nga 15 nëntori, me qëllim rritjen e sigurisë së përgjithshme në komunikacion.
Sot (18.11.2026), në shkollën private „Jahja Kemal“ në Tetovë, Sektori për Parandalim pranë SPB Tetovë vazhdoi me realizimin e projektit edukativ-parandalues me moton „Mësoj – Jap provimin – Vozis“, në kuadër të të cilit parashikohen ligjërata për nxënësit e vitit të tretë të shkollave të mesme, me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe ngritjen e kulturës së komunikacionit tek të rinjtë. Gjatë ligjëratës, nxënësit u informuan në detaje për rregullat dhe dispozitat më të rëndësishme të komunikacionit, detyrimet ligjore për mbajtjen e pajisjeve mbrojtëse, si dhe dispozitat ndëshkuese të parapara për kundërvajtjet. Qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve është ndërtimi i besimit të ndërsjellë ndërmjet policisë dhe të rinjve, ngritja e vetëdijes së tyre si drejtues të ardhshëm të automjeteve, si dhe ulja e drejtpërdrejtë e numrit të aksidenteve në komunikacion dhe pasojave të tyre në territorin e SPB Tetovë.
Sot, përfaqësues të policisë kriminalistike dhe zyrtarë policorë pranë NjPB Prilep morën pjesë në një punëtori me temën „Zëri kundër dhunës“, të organizuar nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës, me fokus në parandalimin e të gjitha formave të dhunës, veçanërisht të dhunës në familje.
Më 18.11.2026, Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup, në territorin e Stacionit Policor të Përgjithshëm (SPP) Karposh, realizoi tri punëtori edukative në SHFK „Petar Pop Arsov“, me temën „Parandalimi i dhunës mes bashkëmoshatarëve – Bullizmi dhe Cyberbullying (dhuna në rrjetet sociale)“, si dhe varësitë. Nxënësit e pranishëm, përmes komunikimit interaktiv, u njohën me format e ndryshme të dhunës fizike dhe psikologjike, me atë se çfarë paraqet dhuna mes bashkëmoshatarëve – bullizmi dhe cyberbullying-u, format e sjelljes agresive ndërmjet të rinjve, si dhe dukuritë antisociale dhe devijante – varësitë, të cilat rrezikojnë seriozisht sigurinë e nxënësve.
Theks i veçantë u vu në mënyrat e identifikimit, shmangien dhe raportimin e këtyre dukurive, si dhe autorizimet ligjore të zyrtarëve policorë dhe dispozitat ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi, të përshtatur për moshën e nxënësve. Nxënësve të pranishëm iu shpërndanë edhe fletushka me mesazhe edukative: „Stop bullizmit – askush nuk meriton të ndihet i pavlerë dhe i pasigurt.“
Më 18.11.2026, në territorin e SPP Karposh, Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup realizoi një fushatë edukative-parandaluese në fushën e veprave penale kundër pasurisë, me motot „Çdokush mund të jetë viktimë“ dhe „Mos lini sende me vlerë në automjetin tuaj“.
Më 18.11.2026, zyrtarë policorë nga Njësitë Policore për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor pranë NjPB Kavadar dhe NjPB Negotinë, realizuan aktivitete parandaluese në komunikacion me temën „Përdorni pajisjet dimërore“. Qëllimi i këtyre aktiviteteve ishte t'u bëhej me dije drejtuesve të automjeteve se është në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete, si dhe të ndikohet në ngritjen e vetëdijes për pjesëmarrje të përgjegjshme në komunikacion dhe për detyrimin dhe nevojën e përdorimit të pajisjeve dimërore, si një kusht i rëndësishëm për rritjen e nivelit të sigurisë personale dhe të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Ndërkaq, zyrtarë policorë nga SPB Veles dhe NjPB Kavadar sot realizuan aktivitete parandaluese për mbrojtjen dhe parandalimin e dukurive që lidhen me dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore. Zyrtarë policorë nga Zyra Policore e Gradskos sot realizuan një aktivitet parandalues, i cili kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për përdorimin e drejtë dhe të sigurt të pajisjeve me gaz, mirëmbajtjen e tyre të rregullt dhe kontrollin e funksionalitetit, me qëllim parandalimin e pasojave të padëshiruara dhe rrezikimit të sigurisë. Ndërsa, në territorin e Negotinës u realizua një aktivitet parandalues për ardhjen dhe largimin e sigurt të nxënësve nga shkolla, me qëllim rritjen e sigurisë së pjesëmarrësve më të vegjël në komunikacion.