Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Toshkovski: MPB hyn në një epokë të re të sigurisë digjitale – formohet Njësia e parë e specializuar e Sigurisë Kibernetike

Toshkovski: MPB hyn në një epokë të re të sigurisë digjitale – formohet Njësia e parë e specializuar e Sigurisë Kibernetike

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mori pjesë në promovimin e Njësisë së sapokrijuar të specializuar të Sigurisë Kibernetike të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

 "Në kohën e digjitalizimit të shpejtë dhe të kërcënimeve kibernetike gjithnjë e më të rrezikshme dhe të sofistikuara, Ministria e Punëve të Brendshme po ndërmerr një hap strategjik dhe vendimtar, për herë të parë në ekzistimin e saj, formoi Njësinë e specializuar të Sigurisë Kibernetike. Kjo njësi do të jetë një shtyllë kyçe në mbrojtjen e sovranitetit digjital të MPB-së si institucion që menaxhon vëllimin më të madh dhe më të ndjeshëm të të dhënave personale të qytetarëve të vendit. Siguria e këtyre sistemeve është çështje jo vetëm e kapacitetit institucional, por edhe e stabilitetit të shtetit dhe besimit të qytetarëve. Të gjitha aktivitetet e njësisë së sapokrijuar synojnë avancimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës së brendshme të IT-së të vetë Ministrisë, me fokus ekskluzivisht në mbrojtjen e sistemeve të saj të informacionit. Për herë të parë, Ministria ka blerë pajisje moderne teknike dhe softuerike për monitorimin proaktiv, zbulimin dhe parandalimin e sulmeve kibernetike, duke hedhur kështu themelet për mbrojtje sistemike dhe afatgjatë", theksoi ministri Toshkovski.

Ministri Toshkovski informoi se Njësia e re e Sigurisë Kibernetike do të jetë përgjegjëse për mbrojtjen dhe monitorimin gjithëpërfshirës të sistemeve të informacionit të Ministrisë së Punëve të  Brendshme, do të kryejë analiza të vazhdueshme dhe zbulimin në kohë të kërcënimeve kibernetike, do të kryejë instalimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e sigurisë së infrastrukturës së IT-së së ministrisë.

Me këtë iniciativë, Ministria e Punëve të Brendshme vendos një standard të ri të mbrojtjes kibernetike, që nënkupton një mburojë sigurie moderne, të qëndrueshme dhe të fuqishme që përmbush sfidat e sotme dhe siguron besimin publik se të dhënat e qytetarëve gëzojnë mbrojtje të lartë.

Gjithashtu sot, Ministri Toshkovski, së bashku me dekanin e Fakultetit të Shkencave  Informatike dhe të Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI), Prof. Dr. Boro Jakimovski, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë dhe Fakultetit.

Qëllimi është shkëmbimi i njohurive, përvojave dhe edukimit, si dhe promovimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i kuadrit në fushat ku të dy institucionet kanë interesa të përbashkëta. Ky bashkëpunim paraqet një hap tjetër drejt forcimit të kapaciteteve teknike dhe njerëzore të MPB-së dhe mbështetjes së transformimit digjital të institucionit, me qëllimin përfundimtar - shërbime më të mira dhe më të shpejta për qytetarët.

 

Accessibility Menu