Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në takimin plenar të Nëngrupit Sektorial të Punës „Punët e Brendshme“, i cili u mbajt në sallën solemne të Qeverisë. Në takim ishte e pranishme edhe përfaqësuesja e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Roberta Cortese, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve kompetente dhe organizatave ndërkombëtare.
Detyra kryesore e këtij nëngrupi sektorial të punës është mbështetja e qasjes sektoriale në procesin e programimit dhe zbatimit të projekteve të financuara me mjete të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA) të Bashkimit Evropian, si dhe avancimi i koordinimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë në realizimin e prioriteteve të përcaktuara reformuese dhe strategjike.
Në takimin plenar u prezantuan dokumentet strategjike, planifikuese dhe programore, projektet aktuale dhe iniciativat e reja projektuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjithashtu, u diskutua për progresin e deritanishëm në zbatimin e reformave, sfidat aktuale dhe mundësitë për mbështetje të mëtejshme dhe modernizimin e institucionit.
Në fjalimin e tij hyrës, ministri Toshkovski theksoi vendosmërinë e palëkundur të Ministrisë së Punëve të Brendshme për zbatimin e vazhdueshëm të proceseve reformuese, përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Agjenda e Reformave dhe harmonizimin e vazhdueshëm me standardet evropiane dhe praktikat më të mira.
„Integrimi evropian është prioriteti ynë kryesor dhe strategjik. Jemi të vetëdijshëm se përparimi në këtë fushë nuk matet vetëm përmes përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara formalisht, por mbi të gjitha përmes rezultateve konkrete dhe të qëndrueshme, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve dhe sigurisë së qytetarëve“, theksoi ministri Toshkovski.
Toshkovski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht përmes Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit – IPA, si dhe përmes programeve dhe projekteve të tjera që synojnë forcimin e kapaciteteve institucionale, njerëzore dhe teknike të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Me këtë rast, ai theksoi se suksesi i këtij partneriteti nënkupton përkushtim të përbashkët, prioritete të përcaktuara qartë, përgjegjësi dhe iniciativë institucionale në realizimin e reformave.
Në fjalimin e tij përmbyllës, ministri Toshkovski shprehu kënaqësi për diskutimin konstruktiv dhe iniciativat e prezantuara të projekteve, të cilat hapin mundësi për modernizimin e policisë së Maqedonisë dhe rritjen e efikasitetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
„Idetë dhe iniciativat e prezantuara hapin mundësi për avancimin dhe modernizimin e mëtejshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Konsideroj se detyra jonë e përbashkët në periudhën e ardhshme është që mundësitë e identifikuara t'i shndërrojmë në aktivitete konkrete, me qëllime të përcaktuara qartë dhe rezultate të pritshme. Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë do të ketë sigurimi i koordinimit të duhur institucional, vlerësimi real i nevojave dhe qëndrueshmëria e zgjidhjeve të propozuara“, theksoi Toshkovski.
Ministri Toshkovski rikonfirmoi përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për përmbushjen e detyrimeve të Agjendës së Reformave, zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe prioriteteve të përcaktuara reformuese në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Toshkovski theksoi se përmes dialogut të vazhdueshëm, koordinimit të fuqishëm institucional dhe bashkëpunimit në partneritet me Bashkimin Evropian dhe me partnerët ndërkombëtarë, Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të ndërtojë një institucion modern, profesional, efikas dhe të qëndrueshëm, që funksionon sipas standardeve evropiane, në shërbim të qytetarëve dhe në funksion të realizimit të qëllimit strategjik – anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.