Pas më shumë se 15 vjet braktisje dhe moskujdes, pishina në Akademinë e Policisë në Idrizovë është rinovuar tërësisht dhe është vënë sërish në funksion për nevojat e policisë së Maqedonisë. Objekti, i cili për më shumë se një dekadë e gjysmë ishte jashtë përdorimit, është rikonstruktuar dhe vënë në gjendje funksionale për më pak se tre muaj, me një investim prej rreth 5,7 milionë denarësh.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot vizitoi Akademinë e Policisë në Idrizovë, ku pati mundësinë të verifikojë funksionalitetin e pishinës së rinovuar, në të cilën tashmë po zhvilloheshin testimet e aftësive të notit të kandidatëve për pranim në Njësinë Speciale Antiterroriste “Tigrat”.
Për më shumë se 15 vjet, ky objekt i rëndësishëm qëndroi i braktisur, ndërsa gjenerata të tëra të punonjësve të policisë u privuan nga mundësia për ta shfrytëzuar atë për trajnime dhe avancim profesional. Sot, në vend të një objekti të braktisur dhe jofunksional, Akademia e Policisë ka në dispozicion një pishinë të rinovuar tërësisht, e cila është rikthyer në shërbim të trajnimit policor dhe përgatitjes së pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Një objekt që për më shumë se 15 vjet kishte qëndruar i braktisur, e rikthyem në funksion për më pak se tre muaj. Ky është dallimi mes moskujdesit dhe rezultateve konkrete. Me një investim prej rreth 5,7 milionë denarësh, siguruam kushte që kjo pishinë t’u shërbejë sërish punonjësve të policisë, për trajnimin, avancimin dhe ruajtjen e përgatitjes së tyre fizike”, theksoi ministri Toshkovski.
Pishina e rinovuar do të përdoret për trajnimin e policëve të ardhshëm, stërvitje të specializuara të njësive policore, ushtrime shpëtimi dhe ruajtjen e përgatitjes fizike të punonjësve të policisë. Me rikthimin e saj në funksion krijohen kushte shtesë për avancimin e aftësive profesionale dhe gatishmërisë së policisë së Maqedonisë.
Pishina ka edhe një vend të veçantë në historinë e kinematografisë maqedonase. Pikërisht në këtë objekt, në vitin 1977, janë xhiruar skena nga filmi kult maqedonas “Drejtohu, Delfina” , i frymëzuar nga arritja e madhe sportive e Atina Bojaxhiut.
Rikthimi i pishinës në funksion është pjesë e investimeve më të gjera në modernizimin e policisë së Maqedonisë. Gjatë periudhës së kaluar është rinovuar ndjeshëm kompleksi i Akademisë së Policisë në Idrizovë, është rikthyer në funksion Shkolla e Mesme e Policisë, janë blerë automjete të reja policore, ndërsa së shpejti pritet edhe ardhja e uniformave të reja policore, tërësisht të ridizajnuara dhe të cilësisë së lartë.
“Vazhdojmë të investojmë në njohuritë, gatishmërinë dhe zhvillimin profesional të punonjësve të policisë, sepse investimi tek ata është investim në një polici më të fortë dhe në një Maqedoni më të sigurt”, deklaroi ministri Toshkovski.
Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me investime konkrete në infrastrukturën policore, pajisjen dhe përmirësimin e kushteve për trajnim dhe punë, me qëllim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të policisë së Maqedonisë.