Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Toshkovski në “Moto Ilinden Urban Drive”: Siguria duhet të jetë mbi adrenalinën – së shpejti “Qyteti i Sigurt” do të mund të identifikojë edhe mosmbajtjen e helmetës

Toshkovski në “Moto Ilinden Urban Drive”: Siguria duhet të jetë mbi adrenalinën – së shpejti “Qyteti i Sigurt” do të mund të identifikojë edhe mosmbajtjen e helmetës
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot vizitoi festivalin “Moto Ilinden Urban Drive”, i cili nga 1 deri më 4 tetor mbahet në parkingun para Qendrës Sportive “Boris Trajkovski” në Shkup, dhe fokusi i të cilit, krahas promovimit të motociklizmit, është ngritja e vetëdijes për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion.
Në kuadër të festivalit organizohen vozitje testuese, punëtori për drejtim të sigurt të motoçikletës, edukim i fillestarëve, përdorim i drejtë i pajisjeve mbrojtëse, si dhe njohje e pjesëmarrësve me dispozitat ligjore nga fusha e komunikacionit. Në pjesën edukative të ngjarjes është përfshirë edhe Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor.
Toshkovski e përshëndeti iniciativën, duke theksuar se pikërisht edukimi, përgjegjësia personale dhe respektimi i rregullave të komunikacionit janë kyçe për siguri më të madhe të motoçiklistëve, të cilët janë ndër pjesëmarrësit më të rrezikuar në komunikacion.
“Dashuria për motoçikletat, adrenalina dhe liria që sjell motociklizmi gjithmonë duhet të shoqërohen me përgjegjësi. Helmeta dhe pajisjet mbrojtëse, respektimi i kufizimit të shpejtësisë dhe i rregullave të komunikacionit nuk janë formalitet – ato shpëtojnë jetë. Prandaj, ngjarje të tilla janë të rëndësishme, veçanërisht për të rinjtë dhe për ata që për herë të parë hyjnë në botën e motociklizmit”, theksoi Toshkovski.
Ministria e Punëve të Brendshme në vazhdimësi zbaton kontrolle të përforcuara në komunikacion, përfshirë edhe kontrolle ndaj drejtuesve të motoçikletave dhe mopedëve, me theks të veçantë në shpejtësinë, posedimin e lejes përkatëse të drejtimit, përdorimin e helmetës mbrojtëse dhe respektimin e rregullave të tjera të komunikacionit.
Një hap i mëtejshëm në këtë fushë është sistemi “Qyteti i Sigurt”, i cili detekton edhe kundërvajtjet e kryera nga drejtuesit e motoçikletave, ndërsa me ndihmën e inteligjencës artificiale sistemi së shpejti do të mund t’i ndëshkojë edhe ata që nuk mbajnë helmetë dhe në këtë mënyrë rrezikojnë jetën e tyre dhe jetën e pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Toshkovski theksoi se rezultatet e qasjes së re në sigurinë në komunikacion tashmë janë të dukshme. Në nëntë muajt e parë të këtij viti ka 33 viktima më pak në komunikacion krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, përkatësisht rreth 30 për qind më pak jetë njerëzish të humbura, ndërsa numri i personave të lënduar është ulur për rreth 19 për qind. Në trendin pozitiv përfshihen edhe aksidentet në komunikacion në të cilat marrin pjesë motoçiklistë, ndërsa synimi është që ky trend të përforcohet më tej.
“Këto rezultate nuk janë vetëm shifra. Pas çdo shifre qëndron një jetë njerëzore, një familje dhe e ardhmja e dikujt. “Qyteti i Sigurt”, kontrollet e përforcuara, edukimi dhe, mbi të gjitha, sjellja e përgjegjshme e qytetarëve tregojnë se mund ta ndryshojmë në mënyrë thelbësore kulturën e komunikacionit. Qëllimi ynë është i qartë – më pak aksidente, më pak të lënduar dhe sa më pak jetë njerëzish të humbura”, deklaroi ministri Toshkovski.
Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë paralelisht me aktivitetet parandaluese, edukimin, kontrollet e përforcuara dhe zbatimin e teknologjive bashkëkohore, me një qëllim të vetëm – rrugë dhe rrugica më të sigurta për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.

Accessibility Menu