Sektori për Punë të Brendshme Tetovë – Njësia për Krim Kompjuterik, në koordinim me Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, e ka zbardhur plotësisht rastin lidhur me një video të publikuar në rrjetin social „TikTok“, në të cilën shihet djegia e flamurit të Maqedonisë.
Më 22.09.2026, gjatë monitorimit të rrjeteve sociale, nëpunës policorë kanë detektuar një video të publikuar me përmbajtje me të cilën është kryer vepra penale „shkaktimi i urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit në baza kombëtare, fetare dhe në baza të tjera diskriminuese“, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 319 paragrafi 1 të Kodit Penal.
Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve operative, më 23.09.2026 është përcaktuar identiteti i autorit të profilit. Bëhet fjalë për një të mitur nën moshën 14- vjeçare nga Tetova.
Në ambientet e policisë, në prani të prindit dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale Tetovë, me të miturin është zhvilluar bisedë zyrtare, me ç’rast ai e ka pranuar veprën. Me pëlqimin e prindit, për nevojat e procedurës dhe fotodokumentimin e provave, është siguruar telefoni celular nga i cili është publikuar videoja.
Gjatë bisedës zyrtare, i mituri ka vënë në dukje edhe tre të mitur të tjerë të cilët kanë marrë pjesë në ngjarje. Ata më tej do të ftohen në stacionin policor për zbardhjen e plotë të rastit.
Pas dokumentimit të plotë të lëndës, në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë do të parashtrohet parashtresë përkatëse.