Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, drejtuar Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe nga Pjesëtarë të Policisë së Burgjeve, ka ngritur kallëzim penal kundër E.E., mbi dyshime të bazuara se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i detyrës dhe autorizimit zyrtar”, e paraparë dhe e ndëshkueshme sipas nenit 353 të Kodit Penal.
I kallëzuari E.E., në vendin e punës “polic i ri” në Njësinë e Sigurisë së Qarkullimit Rrugor pranë Sektorit për Punë të Brendshme Shkup, gjatë periudhës nga muaji prill deri në muajin korrik të vitit 2026, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në shërbimin e bazës së ,,merimangës’’ në Ndërmarrjen Publike “Parkingjet e Qytetit” – Shkup, ku ishte i obliguar të zbatonte autorizimet policore për lëshimin e procesverbaleve për kundërvajtjen e konstatuar dhe urdhërpagesave kundërvajtëse me gjoba, si dhe të bënte arkëtimin elektronik të gjobave për kundërvajtjet rrugore ndaj shoferëve ose pronarëve të automjeteve motorike të cilët kishin bërë kundërvajtje rrugore, në disa raste ka ndërmarrë veprime të kundërligjshme.
I kallëzuari E.E. duke shfrytëzuar detyrën dhe autorizimet e tij zyrtare, si dhe duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare si nëpunës policor, ka përvetësuar për vete në mënyrë të kundërligjshme rreth 12.700 denarë, ndërsa njëkohësisht i ka shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë prej rreth 85.500 denarësh.
Nga ana e inspektorëve të Departamentit për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale i kallëzuari është privuar nga liria, ndaluar në stacion policor.
Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale do të paraqesë gjithashtu propozim për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj E.E. dhe do të shqiptojë masën e detyrueshme të largimit nga vendi i punës – pezullim nga detyra, deri në përfundimin e procedurës disiplinore.