Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike të Koçanit ka zgjeruar sot hetimet lidhur me zjarrin në diskotekën e Koçanit në 19 persona të rinj. Të gjithë ata dyshohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal.
Bëhet fjalë për zyrtarë të cilët në periudhën nga viti 2012-16.03.2025, bashkërisht, por secili për nga cilësia, kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre, nuk kanë vepruar fare në përputhje me rregulloret për masat mbrojtëse dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve dhe pronës në shkallë të gjerë. Në mesin e të dyshuarve të rinj janë edhe inspektorë të autorizuar ndërtimor në Komunën e Koçanit, drejtorë dhe inspektorë të përgjithshëm nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ministra të ekonomisë, sekretarë shtetërorë dhe zyrtarë të tjerë nga ajo ministri, si dhe inspektorë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Dyshohet se veprimet dhe lëshimet e tyre të kundërligjshme kanë çuar në vazhdimësi që kabareja CLUB PULS në Koçan, që nga fillimi për një periudhë të gjatë kohore deri në rënien e zjarrit, të vazhdojë të kryejë aktivitete hoteliere pa plotësuar asnjë kusht ligjor dhe në kundërshtim me të gjitha rregullat e sigurisë për jetën e personave që kanë vizituar objektin. Si pasojë, zjarri u shkaktua nga përdorimi i mjeteve piroteknike më 16 mars 2025, gjatë një shfaqjeje të grupit muzikor DNK, me pasojë vdekjen e 61 personave, mes tyre 6 fëmijë, ndërsa u lënduan 197 personave të tjerë, mes tyre 25 fëmijë.
Me këtë, deri më tani, Prokuroria e Koçanit ka nisur hetimet ndaj gjithsej 45 personave fizikë dhe tre personave juridikë lidhur me zjarrin. Njëri prej tyre, pas hapjes së hetimeve, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri dhe për këto arsye, pas marrjes së dokumentacionit të plotë mjekësor, ndaj tij do të ndërpritet procedura.