SPB Strumicë ka paraqitur kallëzim penal kundër D.A. (49), Z.V. (63) dhe B.K. (49), mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale “falsifikimi ose shkatërrimi i librave protokollarë” dhe “punë e pandërgjegjshme në detyrë”.
I kallëzuari i parë, i punësuar në shoqatën e gjuetisë “Belasica” nga Strumica, duke vënë të dhëna të pasakta dhe jo të plota në librat zyrtarë të evidencës për lejet e dhëna të gjuetisë dhe vërtetimet për prejardhjen e kafshëve të egra dhe pjesëve të tyre, kishte bërë parregullsi në mbajtjen e evidencave zyrtare, të cilat ishte i detyruar t'i administronte në përputhje me ligjin.
I kallëzuari i dytë, kryeinspektor në Sektorin për Mbikëqyrje Inspektuese në Gjueti, dhe i kallëzuari i tretë, drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Pylltarisë dhe Gjuetisë, në emër të Inspektoratit Shtetëror dhe me kërkesë të shoqatës së gjuetisë, kishin lëshuar një akt në të cilin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe rregulloret dhe vendimet e miratuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë konstatuar se shoqata e gjuetisë “Belasica” kishte të drejtë të jepte leje ditore për gjuetinë e derrit të egër në vendin e gjahut “Tërkajnë”, për kryerjen e të ashtuquajturit eliminim sanitar të derrave të egër, ndonëse shoqata nuk kishte fare koncesion për këtë vend gjahu.
Me këto veprime, ata janë përpjekur të justifikojnë gjuetinë e paligjshme të kryer më parë nga anëtarët e shoqatës së gjuetisë “Belasica”.
Anëtarët e shoqatës, me arsyetimin se po kryenin kontrolle në terren për gjetjen e derrave të egër të ngordhur dhe se gjoja po zbatonin masa mbrojtëse dhe kontrolluese kundër sëmundjes së murtajës afrikane të derrave, kishin kryer gjueti të paligjshme të derrit të egër në këtë vend gjahu.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve në shoqatë, të denoncuarit nuk kishin evidentuar parregullsitë në mbajtjen e evidencave zyrtare, duke i mundësuar kështu të kallëzuarit të parë të vazhdonte punën pa u sanksionuar, si dhe të jepte leje ditore për gjueti dhe vërtetime për prejardhjen e kafshëve të egra, pa i regjistruar ato në mënyrë të rregullt në librat përkatës të evidencës.