Me moton "Ku po nxiton? Mos nxito që të mbërish!", sot (02.06.2025) fillon fushata e OKTA-s, Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Këshillit Republikan për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor (KRSKRR) për siguri më të madhe në komunikacion. Qëllimi i fushatës është të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e një vëmendjeje më të madhe të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Në kuadër të fushatës, do të ndërmerren një sërë aktivitetesh përmes të cilave në mënyrë novatore do të informohet, edukohet dhe alarmohet për një vëmendje më të madhe në komunikacion.
“Siguria në komunikacion është një nga prioritetet në strategjinë e përgjegjësisë sociale të OKTA-s. Ne i qasemi aktiviteteve dhe fushatave me shumë kujdes dhe përkushtim që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e të qenit pjesëmarrës i përgjegjshëm në komunikacion. Dhe ne e bëjmë këtë jo vetëm përmes donacioneve, por edhe përmes punëtorive dhe fushatave edukative që përfshijnë partnerë relevantë të shoqërisë në të cilën veprojmë. Edukimi dhe parandalimi janë mënyra e duhur për të përmirësuar kulturën e komunikacionit dhe për të zvogëluar statistikat negative të rrugëve në vend”, tha drejtori ekzekutiv i OKTA-s, Dimitrios Paschos.
Fushata “Ku po nxiton? Mos nxito që të mbërish!” është përqendruar në paralajmërimin e publikut për rreziqet e sjelljes së papërgjegjshme në komunikacion përmes situatave të jetës reale, me qëllim nxitjen e ndryshimit të zakoneve dhe sjelljes së pjesëmarrësve në komunikacion.
“Situata në terren tregon se përveç kontrolleve të rregullta të ekipeve tona, nevojitet bashkëpunimi dhe përfshirja aktive e shumë palëve të interesuara në rritjen e ndërgjegjësimit tek njerëzit. Praktika tregon se informacioni dhe edukimi janë shumë të rëndësishëm në parandalimin e një numri më të madh aksidentesh. Kjo është arsyeja pse jemi të bindur se kjo fushatë do të kontribuojë në atë që është qëllimi ynë i përbashkët - rrugë dhe shtigje të sigurta për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion”, theksoi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Sipas të dhënave, numri më i madh i aksidenteve ndodhin si pasojë e pakujdesisë gjatë trafikut.
“Stili i shpejtë dhe dinamik i jetesës rrit përqindjen e aksidenteve rrugore, gjë që për ne është një alarm shtesë për intensifikimin e aktiviteteve që synojnë parandalimin, përmes edukimit për të rritur ndërgjegjësimin publik tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Ne besojmë se edhe kjo fushatë përmes mesazheve novatore dhe thelbësore, do të kontribuojë që pjesëmarrësit në komunikacion të jenë të ndërgjegjshëm dhe të kushtojnë më shumë vëmendje”, theksoi Goran Angelovski, kryetar i Këshillit Republikan për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor.
Fushatën “Ku po nxiton? Mos nxito që të mbërish!” OKTA e nisi përmes platformës “Unë Kujdesem”, e cila është një nga shtyllat mbi të cilat bazohet strategjia e përgjegjësisë sociale. Në vitin 2017, kjo platformë u shpall praktika më e mirë kombëtare me përgjegjësi sociale në evenimentin vjetor të organizuar nga Trupi koordinues për përgjegjësi sociale të ndërmarrjeve dhe Ministrisë së Ekonomisë. Platforma u prezantua si më efektive dhe gjithëpërfshirëse për sa i përket çështjeve me të cilat merret ajo. UNË KUJDESEM u zgjodh në konkurrencë me 15 kompani të mëdha me gjithsej 24 projekte.