Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Janev: Siguria e grave duhet të garantohet si në botën reale,ashtu edhe në atë digjitale

Janev: Siguria e grave duhet të garantohet si në botën reale,ashtu edhe në atë digjitale
Sot (25.11.2026), drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila njëkohësisht shënon edhe fillimin e fushatës globale „16 Ditë Aktivizëm“.
Në fokus të aktivitetit ishte dhuna digjitale ndaj grave dhe vajzave, si një formë gjithnjë e më e përhapur e dhunës, me pasoja serioze për sigurinë, privatësinë dhe dinjitetin e tyre.
Në fjalimin e tij, drejtori Janev theksoi se siguria e grave dhe vajzave nuk duhet të varet nga fakti nëse dhuna ndodh pas dyerve të mbyllura apo pas ekranit, duke nënvizuar se luftimi i dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje përbën prioritet strategjik për Byronë e Sigurisë Publike.
Ai theksoi se reagimi institucional duhet të bazohet në veprim efikas dhe profesional të policisë, vlerësim në kohë të rrezikut dhe mbrojtje të viktimave, forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe parandalim të vazhdueshëm dhe avancim të kapaciteteve për trajtimin e dhunës digjitale, përfshirë edhe sigurimin e provave elektronike.
Janev theksoi se viktimat nuk duhet ta bartin të vetme barrën e luftës kundër dhunës, se denoncimi është akt guximi dhe se përgjegjësia i takon gjithmonë kryerësit të veprës. Çdo person që kërkon ndihmë duhet të dëgjohet, të mbrohet dhe të marrë një përgjigje profesionale institucionale.
Ai veçanërisht theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me të rinjtë, përfshirjen e tyre aktive në aktivitetet parandaluese dhe krijimin e një shoqërie të bazuar në besim, respekt dhe përgjegjësi të përbashkët.
„Përkushtimi i institucioneve nuk matet me fjalët që i themi sot, por me sigurinë, besimin dhe ndryshimet që i sigurojmë çdo ditë“, deklaroi Janev.

Accessibility Menu