Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Iseni: Mbrojtja e fëmijëve në mjedisin digjital është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe shoqërisë

Iseni: Mbrojtja e fëmijëve në mjedisin digjital është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe shoqërisë
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, sot mbajti fjalim në promovimin e raportit hulumtues „Parandalimi i dëmit në Maqedoninë e Veriut“, të realizuar nga UNICEF-i, i cili i kushtohet rreziqeve me të cilat përballen fëmijët në mjedisin digjital dhe përsosjes së mekanizmave për mbrojtjen e tyre.
 
Në këtë ngjarje morën pjesë koordinatorja rezidente e Kombeve të Bashkuara në vend, Rita Kolumbia, përfaqësuesja e UNICEF-it, znj. Lesli Miller, si dhe përfaqësues të institucioneve kombëtare dhe organizatave ndërkombëtare.
 
Në fjalimin e tij, zëvendësministri Iseni përshëndeti qasjen gjithëpërfshirëse dhe inkluzive të UNICEF-it gjatë realizimit të hulumtimit, në të cilin u përfshinë institucionet, komuniteti profesional dhe qytetarët, duke theksuar se mbrojtja e fëmijëve në mjedisin digjital kërkon një përgjigje të koordinuar nga e gjithë shoqëria.
 
„Digjitalizimi i shpejtë ka hapur mundësi të mëdha për komunikim, arsim dhe zhvillim, por njëkohësisht ka sjellë edhe rreziqe të reja nga keqpërdorimi dhe shfrytëzimi. Prandaj, mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët dhe vetëm përmes partneritetit, gjithëpërfshirjes dhe koordinimit të fuqishëm institucional mund të krijojmë një mjedis digjital të sigurt për çdo fëmijë“, theksoi Iseni.
 
Ai theksoi se raporti mundëson një pasqyrë më të mirë të sjelljes së të rinjve në hapësirën onlajn, të rreziqeve më të shpeshta me të cilat përballen dhe të fushave ku nevojitet një reagim më efikas institucional. Rekomandimet, siç theksoi ai, parqesin bazën e avancimit të kornizës ligjore, mbështetjen e profesionistëve të cilët punojnë me fëmijët dhe përmirësimin e mekanizmave praktikë për parandalimin dhe mbrojtjen.
 
Iseni potencoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka një rol të rëndësishëm në këtë fushë përmes aktiviteteve parandaluese, ngritjes së vetëdijes publike, zbulimit në kohë të rreziqeve dhe bashkëpunimit me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
 
„Ky hulumtim nuk është vetëm një dokument, por një thirrje për veprim. Na nevojitet parandalim më i mirë në shkolla dhe komunitete, shkëmbim më efikas i informacionit ndërmjet institucioneve, procedura të qarta për raportim dhe veprim, si dhe mbështetje adekuate për fëmijët dhe familjet. Ministria do të vazhdojë t’i avancojë kapacitetet e policisë dhe ta forcojë koordinimin me shërbimet arsimore dhe sociale“, deklaroi zëvendësministri Iseni.
 
Në fund, ai shprehu mirënjohje për UNICEF-in, hulumtuesit, partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet kombëtare që kontribuuan në përgatitjen e raportit, duke theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar për zbatimin e rekomandimeve që do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve në Maqedoni.

Accessibility Menu