Sot, drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Aleksandar Janev, zhvilloi një takim pune me udhëheqësinë e SPB Shkup, në të cilin u shqyrtua në hollësi situata e sigurisë në rajonin e të gjitha komunave që janë në kompetencë të sektorit.
Në kuadër të takimit u analizuan të gjitha lokacionet e pasqyruara potencialisht të rrezikshme që lidhen me zbatimin e aksionit operativ "Zgjedhjet Lokale 2025", si dhe numri i nëpunësve policorë të angazhuar, planet taktike dhe masat specifike që ndërmerren për sigurinë e plotë të qytetarëve.
Drejtori Janev theksoi se rajoni i Shkupit paraqet një nga sfidat më të mëdha të sigurisë, prandaj një pjesë e konsiderueshme e burimeve policore janë drejtuar pikërisht atje. Aktivitetet do të kryhen me prani të shtuar policore, përmes pikave statike, patrullave mobile dhe kontrollit të drejtpërdrejtë pranë vendvotimeve dhe në të gjitha lokacionet kritike. Si plotësim, do të vihen në funksion sistemet moderne teknologjike, duke përfshirë sistemin "Qyteti i Sigurt" dhe mbikëqyrjen ajrore me dronë, me qëllim zbulimin në kohë të kërcënimeve të mundshme dhe mbrojtjen e plotë të rendit dhe qetësisë publike.
U dërgua një mesazh i qartë se çdo përpjekje për dhunë, prishje e procesit zgjedhor ose çdo veprim kriminal do të parandalohet dhe sanksionohet me reagim të shpejtë dhe të palëkundur policor, pavarësisht nga statusi, funksioni ose përkatësia e autorit të krimit.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Byroja e Sigurisë Publike mbeten të përkushtuara për të siguruar zgjedhje të qeta, të sigurta dhe demokratike, në shërbim të plotë të qytetarëve, të ligjit dhe të shtetit.