Sot (30.06.2026), drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, në përputhje me kompetencat e tij ligjore, formoi një Grup Pune – Task Force, me qëllim të intensifikimit, koordinimit dhe përmirësimit të zbulimit, identifikimit, dokumentimit dhe shkatërrimit të grupeve kriminale dhe individëve që, në mënyrë të organizuar ose individuale, merren me tregtinë e paligjshme të drogës, pa marrë parasysh se a veprojnë në nivel lokal, rajonal, kombëtar apo ndërkombëtar.
Me formimin e këtij ekipi të specializuar, lufta kundër tregtisë së palejuar të drogës hyn në një fazë të re, më energjike dhe më vendimtare. Përmes një qasjeje sistematike, të koordinuar dhe profesionale, do të vihen në funksion të gjitha kapacitetet njerëzore, operative dhe teknike të policisë, me një objektiv të vetëm – luftë pa kompromis kundër kësaj forme të kriminalitetit.
Tregtia e palejuar e drogës paraqet një nga kërcënimet më serioze për shoqërinë, duke rrezikuar jo vetëm individët, por edhe familjet, komunitetet dhe të ardhmen e gjeneratave të reja.
Me këtë model pune, shërbimet kompetente do të veprojnë të bashkuara, të koordinuara dhe me vendosmëri kundër çdo individi dhe çdo grupi kriminal që rrezikon shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e qytetarëve.
Njëherësh, Byroja e Sigurisë Publike u bën thirrje të gjithë qytetarëve të jenë partnerë në këtë luftë, duke theksuar se çdo informacion, njohuri apo kallëzim mund të kontribuojë në parandalimin e përhapjes së këtij lloji të kriminalitetit dhe në krijimin e një të ardhmeje më të sigurt.