Sot (07.06.2026), në periudhën nga ora 14:00 deri në orën 20:00, Njësiti Mobil për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor pranë Sektorit për Çështje të Komunikacionit dhe Departamenti për Sigurim Rrugor dhe Eskorte realizuan një aksion kontrollues në territorin e qytetit të Kumanovës, me qëllim sanksionimin e drejtuesve të trotinetëve elektrikë që nuk respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit.
Gjatë kontrollit janë shqiptuar gjithsej 70 masa për kundërvajtje në komunikacion dhe vepra penale. Prej tyre, nëntë masa ndaj drejtuesve të trotinetëve elektrikë, dy masa për motoçikleta me leje qarkullimi të skaduar, 39 masa për drejtues që ngasin motoçikletë pa helmetë mbrojtëse, një masë për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, një masë për policë sigurimi të skaduar, tri masa për kategori të papërshtatshme të patentë-shoferit, tri masa për mosmbajtje ose mosvazhdim të vlefshmërisë së patentë-shoferit dhe tetë masa për mungesë të targës së regjistrimit.
Gjatë kontrollit është sekuestruar një motoçikletë për shkak të mosvazhdimit të regjistrimit për më shumë se gjashtë muaj. Janë zbuluar edhe katër vepra penale, prej të cilave tri kanë të bëjnë me persona të mitur që drejtonin motoçikletë, ndërsa një person është privuar nga liria për veprën penale sipas nenit 297-a të Kodit Penal, “drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik”, me ç’rast janë sekuestruar tre motoçikleta dhe një katërçikël.
Për të gjithë kryerësit janë përgatitur parashtresat përkatëse. Kontrollet në trafik do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.
U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që në mënyrë konsekuente t’i respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit. Vetëm me sjellje të përgjegjshme mund të kontribuojmë së bashku për rrugë më të sigurta.